Gjermania tha të dielën se ka bërë përparim duke zvogëluar ndjeshëm varësinë nga energjia ruse, një ndryshim strategjik në ekonominë më të madhe të Evropës, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës. Furnizimet ruse tani përbëjnë 12 për qind të importeve të naftës së Gjermanisë, krahasuar me 35 për qind sa ishe më herët, tha Ministria e Ekonomisë përmes një deklarate. Po ashtu, importet e thëngjillit nga Rusia janë 8 për qind, krahasuar me 45 për qind sa blinte më herët Gjermania.
Megjithatë, varësia nga gazi rus është substancial, por Gjermania tha se ka ulur importet e gazit rus në 35 për qind, krahasuar me 55 për qind para nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Në mars, Qeveria gjermane kishte prezantuar planet për uljen e importeve të naftës nga Rusia deri në qershor dhe ka thënë se dëshiron të ndërpresë furnizimet me thëngjill në vjeshtë të këtij viti.
Gjermania po ashtu parashikon që të heqë dorë pothuajse plotësisht nga gazi rus në mesin e vitit 2024. “Të gjitha këto hapa që kemi ndërmarrë kërkojnë përpjekje të madhe nga të gjitha palët dhe këto hapa po ashtu nënkuptojnë edhe kosto, që po ndihen nga ekonomia dhe konsumatorët”, tha ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck.
“Por, ato janë të nevojshme nëse ne nuk duam që të shantazhohemi nga Rusia”, shtoi ai. Evropa varet shumë nga energjia ruse, duke importuar 47 për qind të gazit nga Moska./ REL