Policia spanjolle ka vënë në pranga shtatë persona, në lidhje me një grabitje të kryer në një nga supermarketet e qytetit Terrassa.

Personat e arrestuar janë me origjinë shqiptare dhe përballen me akuzat pr kryerjen e një grabitjeje “spektakolare”, në të cilën është përfshirë edhe eksploziv.

Grabitja ndodhi në Roc Blanc pak pas orës 15:00 të së hënës 28 mars. Fqinjët dëgjuan “një zhurmë të fortë, si ajo e “një shpërthimi”.

Autorët sapo kishin hedhur në erë derën e sigurisë, në rrugën Bailén, pikërisht pranë hyrjes së objektit. Ata po kërkonin një kasafortë , pas marrjes të së cilës janë larguar me një automjet.

Grupi i posaçëm i Divizionit të Hetimeve Kriminale, ka nisur hetimin në lidhje me këtë ngjarje, si dhe lidhjen e dyshuar me raste të ngjashme.

Të dhënat nga vendngjarja kanë treguar se autorët e kishin studiuar shumë mirë objektin ndërsa sjellja e tyre ishte tipike e një bande të specializuar .