SPAK ka mbyllur hetimet për korrupsionin e favorizuar nga AMA për kompanitë e TV kabllore në Elbasan. SPAK ka çuar për gjykim tetë të pandehur, Bledar Karaj, Artan Drazhi, Adem Boriçi e Shkëlqim Sula, pronarë e punonjës të televizioneve kabllore,

Për gjykim ka dërguar edhe ish-zyrtarët e AMA-s, Izmir Hajdari, Suela Musta dhe Andrea Nathanaili.

Njoftimi i plotë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim procedimin penal Nr. 165/2020.

Nga sa ka rezultuar nga hetimet, pronarët e televizioneve kabllorë në Qytetin e Elbasanit, ushtronin veprimtarinë e transmetimit të televizioneve kabllore pa autorizim paraprak nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, në shkelje të të drejtave të autorit.

Nëpërmjet pagesave që u bënin Zyrtarvë te Autoritetit të Mediave Audiovizive, apo pagesave që u bënin ndërmjetësve të cilët premtonin ndërhyrjen tek zyrtarët e Autoritetit të Mediave Audiovizive, këta operatore të transmetimit të televizioneve kabllorë, vijonin veprimtarinë e transmetimit të kanaleve, pa lidhur kontratat përkatëse me mbajtësit e të drejtave të autorit, dhe pa autorizim nga Autoriteti i Mediave Audiovizive.

Në përfundim të fazës hetimore, janë marrë të pandehur dhe është kërkuar dërgimi i çështjes për gjykim për shtetasit:

1. Izmir Hajdari, punonjës pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal;

2. Suela Musta, me detyrë anëtare e Bordit të Autoritetit të Mediave Audiovizive, e akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal;

3. Andrea Nathanaili, i akuzuar për kryerjen e figurës së veprës penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi 2 dhe 25 të Kodit Penal;

4. Bledar Karaj, Artan Drazhi, Adem Boriçi dhe Shkëlqim Sula, pronarë/administratorë të operatorëve të transmetimit të televizioneve kabllorë, apo punonjës pranë këtyre operatorëve, të akuzuar për kryerjen e figurave të veprave penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike” e kryer në bashkëpunim dhe “Shkelja e të drejtave të autorit” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 244 dhe 25, 245/1 paragrafi 1 dhe 25, dhe 149 paragrafi 2 i Kodit Penal;

Ndërkohë është kërkuar në gjykatë, pushimi i procedimit penal, në ngarkim të personit nën hetim Ervin Tahiri, pasi nuk u provuan akuzat e sipërcituara në ngarkim të tij.