Ish-deputeti i PS Alket Hyseni tha se është detyrim për të gjitha palët që të përfshihen në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Hyseni tha se nëse opozita nuk do t’i përgjigjet kushtetutës dhe procesit politik të hapur, ne nuk do ta lëmë vendin pa President.
“Janë dy aspekte. Ai kushtetues, duhet kuptuar që kushtetuta nuk është aty për të bërë lojëra politike, është detyrim për të gjitha palët dhe detyrim për këdo është në parlament për t’u përfshirë në atë proces. Kushtetutbërësi qëllimin e kishte të zgjidhnim një president mbi palët. Jo gjithmonë ia kemi dalë dhe sidomos herën e fundit. Por ama si proces duhet kuptuar nga partitë politike nuk është një proces që duhet të vendosësh dua të futem nuk dua të futem. Ata duhet të përfshihen në diskutime për të nxjerrë një emër konsensual”, deklaroi ish-deputeti i PS.
Sa i përket kushtit të opozitës për të propozuar ata emrin dhe të marrë votat dhe të PS, Hyseni deklaroi se nuk ka rëndësi në sa faza do kalojë, rëndësi ka që në fund Presidenti të jetë ai që duan shqiptarët dhe ai që Shqipëria meriton dhe se kjo do arrihet me apo bashkëpunimin e PS.
“Absolutisht pranojmë çdo propozim nga opozita të emrave, por jo përjashtime që ti do pranosh atë që të sjellim ne. Nëse opozita nuk do t’i përgjigjet kushtetutës dhe procesit politik të hapur, ne nuk do ta lëmë vendin pa President. Jam i bindur që PS do të zgjedhë një President jo vetëm më të mirë se ky që kemi por edhe brenda asaj kornize që Kushtetuta ka përcaktuar. Duke bërë detyrën, duke ndërhyrë dhe amortizuar palët, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë. Dëshira e PS-së e shprehur qartë është që hajde ta zgjedhim së bashku.
Ju e patë opozitën që është kaq e verbuar dhe në momente të caktuara tha nuk do futem fare në proces. E patë që të paktën qasjen e kanë ndryshuar dhe grupi që ka qenë negativ, por edhe grupi zyrtar i PD-së.
Unë besoj që Republika e Shqipërisë në fillim të qershorit do ketë Presidentin e ri. Nuk ka rëndësi në sa faza do kalojë, rëndësi ka që në fund të jetë ai që duan shqiptarët dhe ai që Shqipëria meriton. PS është gati për t’ia dhënë këtë me apo pa bashkëpunimin e opozitës”, tha Hyseni.