Juristi Romeo Kara ka komentuar dje lajmin e publikuar këtë të hënë nga gazeta austriake, “Kronen Zeitung”, e cila ka denoncuar një skandal të madh financiar, në të cilën është përfshirë presidenti Ilir Meta, ndërkohë që ka zbardhur fakte mbi lëvizjet e presidentit Ilir Meta për t’i shpëtuar aferës CEZ-DIA.
Privatizimi i ish-OSSH dhe CEZ dhe pakti CEZ-DIA janë aferat më të rënda korruptive në vend. Romeo Kara është i pari person që e ka denoncuar skandalin, ndërsa për këtë çështje ai ka hedhur akuza të forta.
Ai ka thënë se dy personat që kanë pasur dijeni të plotë për të gjithë aferën CEZ-DIA sot nuk janë më. I pari është Eduart Belegu. Ky i fundit ka qenë këshilltar i ish-ministrit Dritan Prifti, armiku më i madh i Metës. Në 2010 ai u zhduk në mënyrë krejt të papritur.
Ai zyrtarisht është shpallur i vdekur. Juristi Kara shprehet se ai u zhduk pasi ka pirë kafe me një person të Ilir Metës para selisë së LSI. Emri tjetër është Qazim Tepshi, ish-ambasador në Çeki, i cili ka qenë pjesë e bisedimeve me çekët për çështjen e CEZ.
Ai vdiq në 2015 dhe zyrtarisht u raportua për atak kardiak, por familjarët e tij dhe juristi Kara kanë dyshime se mund të jetë eliminuar. Në atë kohë ai pritej të dëshmonte në çështjen e Kastriot Ismailajt.
-Zoti Kara, këtë të hënë një ndër gazetat më të mëdha në Austri “Kronen Zeitung”, ka denoncuar një skandal të madh, në të cilën është përfshirë presidenti Ilir Meta, sipas artikullit në fjalë. Bëhet fjalë për një aferë 700.000$ e presidentit shqiptar me kompaninë offshore, ku sipas gazetës austriake, Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump. Sipas jush sa qëndrojnë këto pretendime?
Nuk besoj se gazetat austriake botojnë fakte të tilla të pambështetura në prova. Gjithsesi mbetet për t’u parë në vazhdim. Duket sikur ata kanë hedhur fillimisht një hap të parë, në dukje i përgjithshëm, në pritje të hapave të tjerë në vazhdim. Ky është vetëm një hamendësim i imi. Ajo çfarë më bën përshtypje është, që kjo shifra 700 mijë euro nuk i ndahet këtij qyqari. Edhe në rastin e Priftit aty e kishte pazarin.
-Po ashtu, gazeta shkruan në artikull se kjo aferë e Metës, ka ardhur si rezultat dhe historisë së një denoncuesi që kërkon mbrojtje në Austri nga kërcënimet me vdekje që ai ka marrë, pasi zbuloi një aferë të Presidentit Shqiptar, Ilir Meta. Ju e besoni këtë fakt, pasi është shumë e rëndë nëse është e vërtet që denoncuesi është kërcënuar me jetë…
Besimi është perceptim dhe unë realisht e besoj këtë gjë. Fatet e Eduard Belegut, Qazim Tepshit, Mirjan Kapos etj mund të ndjekin këdo që përzihet me të. Shqipëria është shumë e vogël dhe kushdo që merret me krimin dhe pretendon se mbetet anonim, nuk bën gjë tjetër vetëm se fshihet mbas gishtit. E dimë mirë si funksionon Meta, çfarë bën dhe me kë e bën. Meta është një nga kokat e krimit në Shqipëri. Në inat e sipër, në 2015, Berisha e përcaktoi shumë saktë atë: kokë e qelbur, kokë e krimit. Denoncuesi me siguri do jetë ndonjë nga ish-miqtë bashkëpunëtor i tij, i cili e njeh mirë atë dhe taktikën hakmarrëse të tij. Pra, besoj se ai realisht mund të rrezikohet nga Meta. Meta vjet kërcënoi një shtet të tërë me sëpata dhe sfurqe, simbolika të përdorimit të armëve dhe vëllavrasjes për interes të mbijetesës së tij. Meta është i rrezikshëm, sepse është në hall dhe sepse prokuroria nuk ka pasur guxim ta arrestojë, t’i sekuestrojë pasuritë e pafund dhe ti presë lidhjet e tij direkte me krimin.
-Gjithashtu gazeta e njohur denoncon edhe shpenzimet e tjera për lobim të çiftit presidencial, madje edhe ndërhyrjet e çuditshme estetike dhe të shtrenjta të Zonjës së Parë, Monika Kryemadhi. Keni një koment?
Nuk është i vetmi që bën lobim. E gjithë politika jonë bën lobim, duke na shitur disa foto si arritje dhe imazh perëndimore. Kam përtuar të shkoj në USA pasi edhe mua mu premtuan disa takime dhe foto me të paktën tre kongresmenë amerikane. Sigurisht që do të luftojnë për imazhin, se thelbin e kanë me të zi se katrani. Ç’të të them për Monikën? Mirë e bën. Ka gjetur e bën. Nëse do të vijë ndonjëherë përballja e drejtësisë me ta, shpresoj që gjykata t’i konfiskojë silikonin e bërë me paratë tona.
-Në disa media ka qarkulluara një lajm dje se denoncuesja e aferës 700 mijë euro të Metës, është bashkëshortja e ish-kreut të DIA, Kastriot Ismailajt. Keni ndonjë informacion më shumë, duke qenë se ju jeni i vetmi që keni denoncuara shpesh aferën CEZ-DIA, ku është përfshirë Meta dhe që për këtë çështje, sot ndodhet në burg edhe zoti Ismailaj.
Jo. Nuk kam ndonjë informacion shtesë. Di që ajo ka dhënë një dëshmi kundër Metës në shkurt 2016 në Vjenë përballë gazetarit Fatos Mahmutaj. Kjo dëshmi mu dha prej tij rreth dy muaj pasi unë kam bërë kallëzimin tim kundër Metës lidhur me çështjen e DIA-CEZ. Intervista e gruas së Ismailajt, në disa pika konfirmonte plotësisht kallëzimin tim, ku Meta kishte ndikuar në politikat dhe vendimet e ERE-s lidhur me çmimin e shitjes së energjisë nga KESH-i tek ERE duke favorizuar me dhjetëra milionë euro në vit CEZ-in. Ditën që e mora, për arsye sigurie, e kam postuar këtë intervistë siç ishte bruto, pa asnjë ndërhyrje, në Youtube. Ka qenë fundi i vitit 2017.
-Megjithatë çifti presidencial Meta-Kryemadhi, ka reaguar dhe i ka quajtur mashtrime lajmet e publikuara në gazetën austriake. Si ju duket kjo mbrojtje e tyre?
Ky reagim tregon se iu ka djegur shumë dhe e kanë humbur qetësinë. Me siguri i ka këshilluar Berisha. Ai vdes për të hapur padi për shpifje. Meta nuk e ka pasur këtë zakon. Kjo tregon se diçka qëndron. Nuk besoj se do t’ia dalin në një përballje të tillë. Që ai është i korruptuar, jam edhe unë i gatshëm të dëshmoj për këtë në Vjenë. Nuk jam i sigurt nëse ai do t’a çojë deri në fund këtë përballje gjyqësore. Ka shumë mundësi që të tërhiqet. Ne e njohim mirë Metën. Nuk ka asnjë vlerë për ne, nëse e fiton atë përballje gjyqësore në Vjenë apo jo.
-Si ka mundësi që Ilir Meta ka një kimi me nr 7, pasi edhe më herët është akuzuara për një shifër që nis me ketë numër, sikundër është blloku 700 mijë euro, ku Ilir Meta shihet në videon e publikuar nga i ndieri Dritan Prifti?
E përmenda edhe më lart. Mbase ka probleme bestytnie ose me aritmetikën dhe nuk llogarit dot përtej asaj shifre. Megjithatë, Meta i bën mirë hesapet e veta. Është kalkulator, ekuilibrues, shantazhues dhe i pabesë. Meqë e ka qejf numrin 7, uroj të shkojë 7 pashë nën dhe, se e ka mbushur kupën.
-Ju shpesh keni denoncuar aferën CEZ-DIA. Si po ecën procesi i hetimeve dhe a ka prova që është i përfshirë Ilir Meta?
Procesi është on going. Padyshim që faktet dhe provat janë aty dhe të çojnë tek Ilir Meta. Të shpresojmë që të kryhet një hetim sa më i plotë dhe Prokuroria të gjejë më në fund kurajën për t’u përballur në gjykatë me kokat e krimit politik në Shqipëri. Ky besoj se do te jetë testi i parë në kapacitet të plotë i saj. Përballja me ish-ministra dhe ish-deputet nuk ka asnjë vlerë dhe nuk ngroh kërkënd. Të gjithë ne e dimë diferencën midis një kryeministri dhe një ministri. Korrupsioni ka buruar nga lart, është projektuar nga lart dhe është frymëzuar dhe bekuar nga lart. Tani ka ardhur pikërisht koha të fokusohemi lart dhe t’a kapim demin prej brirësh.
-Po ish-kryeministri Sali Berisha është përlyer në aferën CEZ-DIA?
Besoj se po. Ai ka qenë nën kontroll të plotë të politikave të ERE-s lidhur me çmimin e shitjes së energjisë. Anëtarët e bordit të ERE-s të asaj kohe duhen pyetur, hetuar dhe të thonë të vërtetën. Dita ka ardhur.
-Keni një koment sa i takon takimit që Berisha zhvilloi pak ditë më parë me ambasadorin cek në Tiranë?
Asgjë nuk i lidh ata të dy përveç aferës CEZ. Unë kam kallëzuar së bashku me të dhe Metën edhe ish-drejtuesit e CEZ-it. Kjo aferë është tashmë edhe një problem çek. Kam takuar edhe unë ish-ambasadorë çeke dhe i kam siguruar se do t’i shkoj deri në fund asaj që kam nisur.
-Në një status që keni publikuar në Facebook, ju ngrinin alarmin se shumica e dëshmitarëve dhe personave që janë përfshirë në afera korruptive dhe kriminale që kanë lidhje me binomin Meta-Berisha, kanë vdekur, disa në mënyra të çuditshme. A mund të na jeni më shumë detaje?
Kam përmendur emrat e: Qazim Tepshit, (vdiq papritur pasi piu një kafe përballë LSI-së me një person që iu prezantua për herë të parë si njeri i afërt i Metës. Tek familjarët e tij është shprehur i çuditur se si kishte këmbëngulur ai person për të pirë kafe. Nga shenjat qe ka shfaqur dyshohet për helmim me striknine. Në varrimin e tij, një ish-deputet i Durrësit i ka thënë familjarëve të tij: “Na e vranë Qazimin”, Prokuroria le ta hetojë rastin. Mjeku i njohur prof. Flamur Tartari ka qenë i bindur se ai ka vdekur i helmuar ). Eduard Belegu, u zhduk pas përfoljes së disa aferave lidhur me minierat. Mirjan Kapo vdiq papritur përpara disa muajsh pasi kishte disa vite që akuzonte publikisht Metën për disa afera.
-Madje pak kohë më parë ju keni bërë edhe një deklaratë të fortë, teksa ngini dyshime për vdekjen e ish-ambasadorit shqiptar në Pragë, Qazim Tepshi dhe të Zamir Stefanit, dëshmitar i privatizimit të OSSH-së. Sipas jush, Tepshi vdiq nga një atak në zemër pak para shpërthimit të skandalit të CEZ, në shtator të vitit 2015. Nga i njëjti shkak, vdiq edhe Zamir Shtefani, vetëm pak javë pas dhënies së dëshmisë për aferën CEZ. Sipas jush kush fshihet pas këtyre vdekjeve?
Këto përfundime duhet t’i nxjerrë prokuroria tashmë. Ajo duhet të bëjë hetimet e duhura duke bërë fillimisht zhvarrimet dhe analizat përkatëse. Duhet nxituar pasi nuk është çudi edhe zhdukja apo ndërrimi i kufomave. Ka pjesë të veçanta të skeletit njerëzor të cilat i ruajnë për një kohë të gjatë gjurmët e lëndëve helmuese. Zamir Stefani la punuar gjatë nën presionin e aferave dhe ishte i vetmi që në komisionin parlamentar për investigimin e privatizimit të OSSH-së që pranoi se çdo veprim dhe vendim e merrnin me urdhër nga lart. Një muaj pasi dha dëshminë, u largua papritur nga kjo jetë.
-A ka ardhur koha që Meta dhe Berisha të dalin para drejtësisë për zullumet që kanë bërë?
Jo ka ardhur koha, por jemi me shumë vonesë. Edhe dielli do ndriçojë ndryshe, ashtu si edhe fytyrat e shqiptarëve të ndershëm, kur ata të gozhdohen në bankën e të akuzuarve. Ky do të ishte çlirimi i dytë i Shqipërisë.
-Një debat ditët e fundit po bëhet për masakrën e “Srebrenicës”, ku PS rrëzoi një rezolutë të Sali Berishës, ndërkohë që e akuzon këtë të fundit se ka ndihmuar makineritë vrasës të Millosheviçit, duke thyer embargon e naftës dhe furnizuar Serbinë. A e ka thyer Berisha embargon?
Berisha e ka pranuar vetë këtë fakt. Po ashtu, edhe Momir Bullatoviqi, ish-presidenti malazes i kohës. Vetëm dy persona ka pritur me qilim të kuq në bulevard kur ishte president: Bullatoviqin dhe Arafatin. Me të dy këta ka bërë afera. U justifikua publikisht por e pranoi që ka thyer embargon. Ka konsumuar as me shumë e as më pak, krim kundra njerëzimit duke furnizuar një makineri shoviniste vrastare si ajo e Millosheviçit. Edhe marrëdhëniet me USA-n, kur ishte president, për këtë arsye i rrënoi. Ish-bodygardy i tij ka dëshmuar gjithashtu lidhur me këtë çështje. Fjalët e bukura thënë së fundi në Parlament, qëndrojnë si një retorikë boshe e pavlerë që nuk e zhbëjnë dot shërbimin që ai i bëri Millosheviçit.
-Keni një koment mbi akuzat se Berisha është filoserb dhe filorus?
Padyshim që ai është i tillë. Duhet kuptuar thellë përcaktimi i tij rreth një vit më parë kur u shpall “non grata” si, rrezik për sigurinë kombëtare amerikane, pengmarrës i drejtësisë dhe konsumues i një korrupsioni madhor. Të trija këto përcaktime dhe fakte gjithashtu të bëjnë të arsyetosh se ai i përshtatet plotësisht interesave dhe politikave serbo-ruse të cilët duan ta mbajnë sa më gjatë peng këtë pjesë të Ballkanit nëpërmjet destabilizimeve periodike dhe kriminalizimit të pushtetit.
-Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për mediat jo vetëm që nuk ka shfaqur pendesë për vrasjet e “21 Janarit”, por i ka mbrojtur ato, ndërkohë që Gërdecin e ka quajtur vrasje shtetërore pa dashje. Si ju duken këto deklarata?
Çdo njeri ka të drejtë të pendohet dhe pendesa pranohet kur ajo është e plotë dhe e sinqertë. Si besimtar, do t’a pranoja pendesën e tij nëse do të rrëfehej sinqerisht, do të dorëzonte gjithçka ka vjedhur e grabitur, do tregonte çdo krim tjetër që dihet e nuk dihet dhe do ti vetëofrohej drejtësisë. Të pendohesh kalimthi duke dashur t’i rihypë edhe njëherë kalit në krye të PD-së, kjo duket thjeshtë një hipokrizi e radhës në shërbim te qëllimeve dhe objektivave të ardhshme politike. Maksimumi i pendimit real të tij do te ishte keqardhja për baxhanakun që e mohoi në çdo intervistë, por edhe këtë gjë unë nuk e besoj. Berisha nuk e njeh as pendimin dhe as keqardhjen. Ai synon vetëm të fitojë kohë dhe betejat e tij ditore, duke pritur ndonjë mrekulli nga qielli në favor të tij. Dielli e tij ka perënduar përfundimisht.