Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve për zgjedhjen e Presidentit, se opozita e ka detyrim për zgjedhësit e saj përfshirjen në këtë proces.
Në cilësinë e përfaqësueses së Grupit Parlamentar të PS-së për zgjedhjen e Presidentit, Spiropali u bëri thirrje opozitës që të vijnë me emra konkretë që përfaqësojnë unitetin e popullit dhe të dakordësojnë datat për votimet në Kuvend.
Gjithashtu, ministrja i ka kthyer përgjigje kërkesës së Enkelejd Alibeajt që mazhoranca të mos propozojë emra për Presidentin. Me nota ironie, Spiropali deklaroi se mazhoranca ka të drejtë të propozojë emra pasi nuk janë të pandehurit e opozitës.
Elisa Spiropali: Unë dëgjova me vëmendje opozitën, dhe më duket e habitshme si Alibeaj thotë diçka, zonja Duma thotë diçka tjetër, most ë flaës për atë që thotë zoti Mediu. Kur të vini përballë nesh, dakordësoni se çfarë doni nga ne. Ju qëndruat larg këtij procesi dhe nuk keni hyrë e as keni dalë. Keni dërguar vetëm letra, të paqarta dhe të padakordësuar me grupin parlamentar. Nuk dhatë asnjë shembull se si do e sfidoni kulturën e skutave dhe pazareve, duke mbajtur përgjegjësi për zgjedhësit tuaj. Ju nuk e keni detyrim ndaj nesh ardhjen në konferencën e kryetarëve, por ndaj qytetarëve shqiptarë. Meqë po flasim për procese e vullnete, letrat nuk mund të zëvendësojnë proceset dhe vullnetet. Kemi vullnet për të bërë këtë proces me ju dhe data 23 maj është afati maksimal. Hajde silleni emrin, por të paktën le të biem dakord për datën. Jemi në pikën që tani duhet të vijmë dhe të mishërojmë ato kritere e vlera që ju flisni, në disa emra. Nuk na duhet të tallemi me emrat tuaj, ne duam emra që mund të votohen. Ky është synimi ynë. Patjetër që kemi të drejtën që të propozojmë emra, nuk jemi të pandehurit tuaj. Ju nuk jeni grup të OSBE/ODIHR që po përcaktoni legjitimitetin e mandateve tona. Këto mandate janë legjitime, siç i keni dhe ju që jeni ulur këtu. Tani mos flasim për proceset tuaja të humbura zgjedhore, të cilat janë harruar me largimin e zotit Basha. Ejani me emra që përfaqësojnë unitetin e popullit, dhe jo si ai që do dalë tani në 12 në konferencë për mediat. Nuk do kishit dot një President më opozitar si ai. Të ndahemi nga ky lloj modeli dhe t’i japim një emër. Në fund publiku do na gjykojë.