Me ftesë të Papa Françeskut, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, vizitoi shtetin e Vatikanit, nga ku u prit në një audiencë të veçantë nga Papa.
Takimi kokë më kokë midis Papa Françeskut dhe Kryetarit Spahiu zgjati për më shumë se 30 minuta.
Bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve në Shqipëri, Dokumenti i Vëllazërisë Njerëzore i nënshkruar midis Imamit të Madh të Al-Az’har, Ahmed Tajib dhe Papa Fançeskut, ishin temë kryesore e bisedës që z. Spahiu zhvilloi gjatë audiencës me Papën.
Dy krerët e lartë ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kontributin që ajo luan për ruajtjen e këtyre vlerave, sidomos në mbrojtjen e familjes, si qelizë themelore e shoqërisë, rol të cilin ata e vlerësuan si të pa çmueshëm.Papa vlerësoi rolin e veçantë që luan Kryetari Spahiu në promovimin dhe përhapjen kudo në Shqipëri të Dokumentit të firmosur në Abu Dabi mbi vëllazërimin njerëzor.
Kryetari Spahiu gjatë audiencës i kërkoi Papa Françeskut mbështetjen e shtetit të Vatikanit për pavarësinë e Kosovës.
Të dy krerët shkëmbyen edhe dhuratat e rastit në fund të takimit.
Takimi midis Papës dhe Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është i pari në llojin e tij që prej themelimit të KMSH-së.
Më pas, takimet e kryetarit Spahiu vijuan me Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet (Ministri i Jashtëm), imzot Paul Richard Gallagher dhe me Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalin Miguel Ángel Ayuso Guixot.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, gjatë kësaj vizite në Vatikan, u shoqërua nga Kancelari i institucionit, z. Ylli Cikalleshi, Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë, z. Fejzi Shaholli, Drejtori i Financës dhe Vakëf/Investimeve, z. Edison Hoti dhe Drejtori i Kabinetit, z. Ejup Lila.
Kjo vizitë u iniciua nga Nunci Apostolik në Tiranë, z. Luigi Bonazzi.
Kryetari Spahiu, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, u prit dhe shoqërua gjatë gjithë kohës nga e ngarkuara me punë e Republikës së Shqipërisë në Vatikan, znj. Majlinda Dodaj.