Ne nje intervistë per DW deputeti kristiandemokrat në Parlamentin Gjerman, Gunther Krichbaum, folës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të Bashkimit Evropian komenton edhe takimin me Ramën, vlerëson reformat e Shqipërisë:

Ju sot patët një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Cili ishte qëllimi i këtij takimi?

Ky takim kishte për qëllim që zoti Rama të njihej me kryetarin e CDU-së dhe të grupit parlamentar të CDU/CSU-së, Friedrich Merz. Por në takim merrnin pjesë edhe shoqërues të kahershëm të proceseve të Shqipërisë, si për shembull Joe Wadephul dhe unë. Rama e ftoi Friedrich Merz-in të vinte në Shqipëri ose të bënte një udhëtim në vendet e Ballkanit. Dhe ai jo vetëm që është i hapur dhe i interesuar, por e ka në plan të vizitojë rajonin.

Biseduam edhe për progresin e reformave në vend, të cilin personalisht e konsideroj të dalluar. Le të kujtojmë këtu reformën në drejtësi, vettingun. Pra, kanë lëvizur shumë gjëra në një drejtim pozitiv vitet e fundit. Nëse nuk do të ishte kështu, nuk do të pranonim çeljen e negociatave. Që këto kanë vonuar, për këtë nuk e ka fajin Shqipëria, por bllokada e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Dhe ne mund t’i bëjmë thirrje Bullgarisë që t’i zgjidhë mosmarrëveshjet në planin dypalësh, sepse ato nuk kanë të bëjnë me negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

-Pyetje: Zoti Rama ka thënë se nëse Bullgaria nuk e heq bllokadën ndaj Maqedonisë së Veriut, ai do të kërkojë shkëputjen. A e mbështesni ju këtë?

Ne si grup parlamentar kemi marrë vendim që këto dy vende të jenë së bashku. Por kam përshtypjen se Bullgaria është duke lëvizur. Kjo është përshtypja ime tani. Shpresoj shumë se mund ta kapërcejmë edhe këtë pengesë.