Në Ditën Botërore të Agroturizmit, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro pati një takim me disa përfaqësues të Shoqatës së Agroturizmit Shqiptar në “Ferma Uka”. Kumbaro njoftoi se po përgatiten ndryshime ligjore në VKM-në për agroturizmin, të cilat lehtësojnë sektorin, por njëkohësisht sjellin edhe një standardizim në shërbim që përkthehet në cilësi më të lartë.
“Kemi një pasuri të madhe që është toka, natyra edhe klima me të cilat mund të krijojmë një industri agroturizmi të jashtëzakonshme. Jemi ende në fillime, prandaj ferma si “Uka Farm” të nisura që në ditën e parë me baza shkencore duke krijuar modelin e permakulturës, shërbejnë si një model i vërtetë sukesi. Më vjen shumë mirë që edhe iniciativa për shoqatën e agroturizmit fillon që këtu. Kjo do të jetë e ardhmja pa asnjë dilemë dhe ju jeni pionierët. Fëmijët tuaj do t’ua dinë shumë për nder, por kujdesuni që sot për të siguruar trashëgimtarët e kësaj pune”, u shpreh Kumbaro.
Flori Uka, kryetari i Shoqatës së Agroturizmit që është themeluar për herë të parë në vitin 2022, foli për resurset që ofron vendi ynë për zhvillimin e këtij sektori dhe nga ana tjetër rëndësinë e vendosjes së standardeve mes sipërmarrësve dhe një marrëdhënieje të mirë me shtetin.
“Unë sapo jam kthyer nga një udhëtim i gjatë që kam bërë në disa agroturizme, nga veriu në jug dhe pashë që Shqipërisë i mungon vetëm shkretëtira dhe tropiku. Kemi resurse ku mund të studiosh botën vetëm duke ndenjur në Shqipëri nga ana e florës, faunës dhe shumë faktorë të tjerë. Është për t’u vlerësuar që me gjithë ato sakrifica që shfaq biznesi i agroturizmit, njerëzit punojnë pavarësisht tyre. Dëshira është shumë e madhe, por duhet që nga të dy palët, si nga ne që përfaqësojmë agroturizmin, të ndërtojmë një standard si shoqatë, por edhe të kemi një marrëdhënie të mirë me shtetin që të na vlrerësojë sipas punës që bëjmë”, u shpreh Uka.
Më herët Shoqata Shqiptare e Agroturizmit i ka drejtuar ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit një letër që kërkon ndryshime të VKM-së ekzistuese. Kumbaro u shpreh se ndryshimet bëhen duke marrë parasysh kërkesat e tyre pasi janë pikërisht ekoturizmi, agroturizmi dhe sektorë të ngjashëm ata që pritet të sigurojnë turizëm për pjesën më të madhe të vitit.
“Unë kam marrë një letër nga ju që kërkon ndryshime në VKM-në ekzistuese. Sigurisht që VKM-ja ekzistuese është një përpjekje e parë e bërë në 2018-ën për të kategorizuar dhe për të formalizuar dhe vendosur rregulla të përbashkëta që krijojnë procesin. Ne do ta përmirësojmë. Nuk e diskutoj që janë ekoturizmi, turizmi natyror, turizmi i sporteve dhe agroturizmi ata që do të mbajnë ofertën turistike. Turizmi detar është i bukur, promovim, por zgjat vetëm tre muaj. Pjesën tjetër ne duhet të vazhdojmë ta zhvillojmë. Ndryshimet do të bëhen në koordinim dhe në konsultim me ju”, tha Mirela Kumbaro gjatë takimit me disa përfaqësues të Shoqatës së Agroturizmit në Fermën Uka.