Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike miratoi të shtunën datën 22 maj për të organizuar zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike.

Gara për liderin e ri të PDsë duket se nuk do të ketë surpriza në një kohë që Sali Berisha, i cili inicioi lëvizjen e foltores ka shpallur kandidaturën për rikthimin në krye të të djathtëve. Vet lideri historik i Partisë Demokratike është zotuar për një garë me mundësi të barabarta, por mbështetja e demokratëve duket qartë në favor të Sali Berishës dhe çdo kandidat tjetër është në disavantazh përball ish-kryeministrit.

GARA PËR LIDERSHIPIN

Në kushte kur gara për kreun e PD-së është e paracaktuar, duke parë mbështetjen, brenda Partisë Demokratike kanë nisur diskutimet për kandidatët për sekretar të Përgjithshëm, nënkryetarët apo edhe drejtuesin e Këshillit Kombëtar. Burime për gazetën “Panorama” nga Komisioni i Rithemelimit bëjnë me dije se tri kandidaturat më të mundshme për sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike janë Belind Këlliçi, Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi. Këlliëi është ndër figurat e reja të Partisë Demokratike që ka qenë i angazhuar intensivisht në këto 9 vite që Partia Demokratike ka qenë në opozitë.

Aktualisht, ai është ende kryetar në detyrë i forumit rinor të Partisë Demokratike, por për shkak se ka mbushur moshën 35-vjeç nuk mund ta mbajë më atë post. Nga ana tjetër, Flamur Noka është një nga kandidaturat e mundshme. Ai ka qenë më herët edhe sekretar Organizativ i Partisë Demokratike dhe konsiderohet se ka njohje me strukturat e Partisë Demokratike. Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, është një tjetër kandidaturë potenciale që diskutohet brenda grupit të demokratëve për të kandiduar për numrin dy të selisë blu. Byykbashi ka angazhim të hershëm në PD dhe ka përfaqësuar PD-në në disa reforma të rëndësishme. Sakaq, Këshilli i ri Kombëtar i Partisë Demokratike pritet që të zgjedh edhe dy nënkryetarët e selisë blu, një prej tyre më pas do të jetë edhe kryetar i Grupit Parlamentar.

Gazeta “Panorama” mëson përmes burimeve se kandidaturat më të mundshme për nënkryetar të PD-së pritet të jenë Luçiano Boçi dhe Agron Shehaj. Të dy deputetët në zgjedhjet e 25 prillit rezultuan me mbështetje pasi të dy thyen herësin. Ndërkohë Deputeti i Elbasanit Luçiano Boçi pritet të jetë edhe kryetari i ri i grupit parlamentar. Aktualisht Boçi është një nga nënkryetarët e grupit parlamentar Bashkë me deputetin Ervin Salianji.

Surpriza pritet te drejtuesi i ri i Këshillit Kombëtar. Në Kuvendin e 30 prillit pati disa rikthime të ish-funksionarëve të Partisë Demokratike, të tillë si Arben Imami, Rudian Hajdari apo Jozefina Topalli. Pikërisht kësaj të fundit pritet ti jepet drejtimi i Këshillit Kombëtar të PDsë, megjithëse një nga pretendentët e mundshëm është edhe Edi Paloka, i cili e drejtoi për disa muaj./ Panorama