Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov do të vizitojë Beogradin më 7 qershor, ku do të zhvillojë një takim me Presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Lajmin e bëjnë të ditur mediat serbe.
Lavrov që nga ajo kohë do të ketë një sërë takimesh me lidershipin shtetëror serb, ku pritet të diskutohet për luftën në Ukrainë dhe qëndrimin e Serbisë përballë situatës.
Kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë rus në Serbi që nga fillimi i luftës dhe vjen në një kohë që BE po përgatit paketën më të ashpër të sanksioneve deri më tani.
Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve anti-ruse dhe BE-ja ka rritur presionin ndaj Beogradit.
Vizita e Lavrov do të jetë një mundësi për të sqaruar qëndrimin e Moskës për Kosovën duke pasur parasysh deklaratat e fundit të presidentit rus Vladimir Putin dhe zyrtarëve të tjerë rusë, të cilët bënë krahasime me situatën në Donbas.