Shkrimtarja shqiptare Lea Ypi ka fituar çmimin “Ondaatje”, një çmim i cili jepet për librat që “sjellin më së miri shpirtin e një vendi dhe është ndër më të rëndësishmit në Mbretërinë e Bashkuar.
Juria e përbërë nga poeti Sandeep Parmar, autori Patrice Lawrence dhe shkrimtari Philippe Sands e kanë lartësuar librin e Ypit “Të lirë”, duke thënë se ka sjellë në mënyrë mjeshtërore duke vënë përballë rrëfimet madhështore dhe personale. Juristët vlerësuan gjithashtu mënyrën se si “puna e saj me humor të errët dhe thellësisht serioze” i bëri ata “të reflektojnë me forcë mbi nevojën për vërtetësi rreth historive që na tregohen dhe se si ne e negociojmë jetën tonë brenda tyre”.
Ypi, mposhti 6 shkrimtarët e tjerë, teksa përveç rëndësisë që çmimi ka, shkrimtarja u vlerësua edhe me 10,000 £.
Një urim ka ardhur edhe nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim.
“Urime për Lea Ypi për fitimin e çmimit Ondaatje! Ky çmim, i dhënë nga Shoqëria Mbretërore e Letërsisë në Mbretërinë e Bashkuar, është një nga më të rëndësishmit në botë. Urime”, shkruan Kim.
Më herët, Ypi është vlerësuar edhe me çmimin “Lumo Skëndo” me motivacionin “për vlerat e shquara në trajtesën origjinale, artistike e filozofike të konceptit të lirisë në kohën e diktaturës komuniste dhe të tranzicionit demokratik në Shqipëri, nëpërmjet kujtimeve të fëmijërisë dhe adoleshencës, dhënë me vërtetësi, sinqeritet, ndjeshmëri, humor, meditim politik e filozofik bashkëkohor”.