PD tashmë ka një drejtim. Sali Berisha është thuajse zyrtarisht kryetar partie në zgjedhjet që do të zhvillohen më 22 maj. Megjithatë Grupin Parlamentar nuk e ka me vete ku nga 52 deputetë 35 nuk morën pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Gjithashtu ka edhe një proces gjyqësor në zhvillim ku Gjykata e Apelit do të vendosë se kush do të ketë vulën, selinë, logon dhe asetet e tjera të partisë. Si i shihni situatën brenda kampit të partisë më të madhe opozitare?
Situata në PD është e njëjta dramë komike që nuk bën askënd të qeshë. Të shtunën ishte njëjta déjà vu me Kuvendin e Dhjetorit të vitit të kaluar dhe të vetmet ndryshime kishin të bënin me vendin ku mbahej kuvendi dhe me veshjet e kuvendarëve. Nuk kishte ndryshuar asgjë nga prova e forcës që Berisha e shet si forcë, por që në fakt është vetëm shprehje e dobësisë proverbiale të lidershipit të vjetër të PD-së, të përfaqësuar dje nga Basha e sot nga Alibeaj dhe të tjerë. Janë konsumuar kaq shumë gënjeshra të plota dhe gjysëm të vërteta, gënjeshtra të përgjysmuara dhe asnjë e vërtetë e plotë në këto muaj të furishëm, sa duket se asgjë nuk mbetet pas mbas gjurmës mediokre të segmentit të pandryshueshëm: Berisha mundi dje Bashën, Rama mund gjithmonë Berishën. Berisha po merr peng hijen e partisë së tij, Rama do të vazhdojë të qeverisë, siç e pranon edhe vetë tashmë, jo se partia e tij dhe ai janë më të mirët, por se nuk ka më të mirë se ata. Eshtë dëshpëruese të shohësh sesi oferta e vetme që PD dhe shumica e saj tashmë pranon si ofertë të së ardhmes, vjen nga e shkuara e saj.
E vetmja diferencë që po bëhet mes një PD-je gjithmonë e më të ndarë, ka të bëjë me grupin parlamentar. Por edhe ajo shumicë që refuzoi Berishën në Kuvend, në shumicën e saj është e përbërë nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me politikën. Në rastin më të mirë janë gjenden faktorë minorë në terren apo edhe më keq, njerëz që kanë “investuar” që të jenë në listë, por nuk kanë asnjë peshë politike. Dhe kur thuhet “kanë investuar”, mund të përmendet një kandidat i pasur për kryetar që ka shpenzuar shifra të fryra në fushatë, deputetë që pretendojnë se kanë afruar më shumë se garanci njerëzore për të qenë pjesë e listës së PD, madje edhe nga ata që kanë qenë në lista jo fituese. Dikush madje, edhe ka tregtuar disa mijëra vota, le të themi për nja 300 mijë euro të vërteta, dikush tjetër mes tyre ka “parapaguar” për emrin e ministrit të financave në kabinetin e mundshëm Basha, e të tjerë e të tjerë. Kjo errësirë morale që mbut politikën normale, nuk e bën palët tjetër, PS-në, më të mirë, por shkëlqimi i kamerave të pushtetit i mban mbyllur lumenjtë e vrerit që rrjedhin rrotull pushtetit dhe selisë rozë. Dhe kjo gjithashtu, nuk e bën më pak të zymtë të nesërmen e parashkruar të PD-së.
Berisha po ndjek rrugën e vjetër që dikur i solli sukses, nga dështimi i vitit 1997-2005 kur mori pushtetin. A jemi në të njëjtat rrethana që Berisha të rishkruajë historinë?
E vetmja gjë që ka ndryshuar janë rrethanat. Personazhet janë po të njëjtët. Në rikthimin e Berishës në 2005-ën, arsyeja kryesore nuk ishte vetë Berisha apo rilindja e tij, por mullari erërëndë që kishte ngritur në tetë vjet qeverisja socialiste e Fatos Nanos. Gjykimi i shqiptarëve atëherë ishte se pavarësisht se Berisha ishte autokrat, i egër dhe i ashpër, pavarësisht se ishte arkitekti me kazmë në dorë i shkatërrimit të shtetit në 97-ën, humbjes së jetëve në një luftë pothuaj civile dhe parave në piramida, Nano ishte aq i korruptuar sa duhej të largohej. Mjaftote vetëm fakti që Nano ishte një kryeministër hokatar që sillej si çun me fat nga emigracioni dhe që gdhihej kazinove, që shqiptarët të pranonin këdo në vend të tij. Atëherë Berisha ishte e vetmja alternativë. Sot përballë Ramës dhe një mijë e një mëkateve të tij të mundshme, ai është i vizatuar jo vetëm nga Rama, jo vetëm nga shumica dërmuese e shqiptarëve, por edhe nga amerikanët, si e keqja e parikthyeshme. Eshtë një naivitet ekstrem që të mos pranohet se shanset e Berishës janë pothuajse zero dhe se zeroja e tij, do të shumëzojë me zero të gjithë opozitën.
Për një vit vendi do zhvillojë zgjedhjet lokale në të 61 bashkitë e vendit, nëse PD me Berishën në krye dështon, a mund të lindin pakënaqësi edhe nga grupimi që sot e mbështet atë dhe të kërkojnë largimin e tij?