Qeveria e Kosovës ka shtuar të hënën sanksionet kundër Rusisë, në përputhje me sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, prej kur Moska ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Kreshnik Ahmeti, ka thënë në mbledhjen e Qeverisë se Kosova është rreshtuar krah politikave të SHBA-së dhe BE-së për sanksionet.
Në pakon e sanksioneve përfshihen ndalesa edhe për Bjellorusinë. Sanksionet e Kosovës nënkuptojnë ngrirje të aseteve të të sanksionuarve në territorin e Kosovës, ndalim të operimit në tregun financiar kosovar, ndalim-udhëtimi, si dhe bllokim të qasjes në fonde për të sanksionuarit. Përveç këtyre sanksioneve, Qeveria e Kosovës është pajtuar edhe për vendosje të masave kufizuese për grupin Wagner, i cili përbëhet nga mercenarë me bazë në Rusi.
“Individët e listuar nga BE-ja janë të përfshirë në abuzime serioze në të drejtat e njeriut, duke përfshirë torturat dhe ekzekutime jashtëgjyqësore”, ka thënë Ahmeti, duke iu referuar individëve të lidhur me grupin Qagner, që janë sanksionuar nga blloku evropian. Kremlini pretendon se Wagner është grup privat, mirëpo ai konsiderohet i afërt me presidentin rus, Vladimir Putin. Mercenarët e këtij grupi dyshohen për abuzime në Mali, Libi dhe Siri. Kosova dhe vende tjera të Ballkanit Perëndimor – përveç Serbisë – kanë përkrahur sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë më 16 maj për raportet e bllokut evropian me Ballkanin Perëndimor.
Më vonë gjatë ditës së hënë, ata do të kenë edhe një takim të përbashkët me shefat e diplomacisë së gjashtë vendeve të këtij rajoni. “Diskutimet për Ballkanin Perëndimor, në takimin e 27 ministrave, sikur edhe ato kur të takohen së bashku ministrat e BE-së me ata të vendeve të rajonit, do të jetë përballja e përbashkët me sfidat dhe pasojat që ka krijuar agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës”. Sipas burimeve diplomatike, trysnia kryesore do të jetë ndaj Serbisë, si vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.