Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka bërë me dije se njësia Antikorrupsion ka thelluar hetimet në 2 bashki për abuzime me pronat.
“Antikorrupsioni ka hetime për pronat në të gjithë bregdetin. Hetimi do kohën e vet sepse duhen administruar të gjithë praktikat dhe dokumentat që dyshojmë se janë të natyrës abuzive. Kemi në 3 zyra vendore të Kadastrës por edhe në 2 bashki ku njësia antikorrupsion ka thelluar hetimet dhe shumë shpejt do kemi rezultatet. Do jua bëjmë me dije nëse janë shkelje administrative apo penale. Abuzimet që po hetojmë janë penale”, tha Manja.
Ndër të tjera theksoi se nuk ka asnjë mundësi që të zhduken provat dhe të gjitha kallëzimet po hetohen penalisht.
“Mundësia që të zhdukin provat është zero sespe koordinatorët antikorrupsion i ka sekuestruar të gjitha dokumentet shkresore. E dyta, për ecurinë e kallëzimeve që kemi depozitar në prokurori dhe SPAK, marrin informacion për ecurinë e kallëzimeve tona, për një pjesë hetimet penale janë në fazën e fundit, madje ka zyrtarë me masë sigurimi dhe këtu i referohem Sarandës dhe Fierit ndërsa një pjesë e zyrtarëve po hetohen në gjendje të lirë. Kur kontaktoni me Agjensitë e Zbatimit të Ligjit mund të pyesni sepse janë hetime administrative dhe i referohen abuzimeve në administratën publike. Të gjitha kallëzimet po hetohen si vepra penale”, tha Manja.