Ditën e sotme u nënshkrua marrëveshja midis qeverisë dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për ndërtimin e 100 laboratorëve Smart në 100 shkolla publike të ciklit fillor të vendit, para nisjes së vitit të ri akademik 2022-2023.
I pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij tha se:” Jemi këtu sot për të filluar një proces rrënjësisht transformues që është pjesë e revolucionit digjital, që u nxit nga nxënësit me të cilët patëm një komunikim intensiv, lidhur me domosdoshmërinë e çuarjes në një nivel tjetër të laboratorëve të informatikës, që figurojnë fizikisht në shkolla po që kryejnë shumë pak nga misioni i tyre. Sepse janë të dalë kohë, në kushtet kur sot fëmijët e vegjël janë shumë më të avancuar. Gjetëm në këtë rrugë një partner serioz, të superkualifikuar dhe të gatshëm për të kontribuar financiarisht, si Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.”
“Ky është vetëm fillimi pasi ambicia është të shkojmë drejt plotësimit të të gjithë shkollave në vend, por kjo kërkon financë dhe njohje të mirë të procesit. Me këto 100 shkolla të para do kemi më shumë kohë për të njohur procesin, në aspektin e mësimdhënies. Nesër do të lançohet programi i kodimit për nxënësit e arsimit parauniversitar, do të fillojë në numra të vegjël, por që duam ta kthejmë në një lëvizje rinore të madhe. Ky do të jetë një cikël i ri për punësimin e të rinjve, që nuk do të jenë të detyruar të lëvizin nga vendi i tyre, po mund t’i ofrojnë këto shërbime për tregun global për shkak se i kanë nivelin e dijeve të njëjta” tha Rama.
Kjo nismë ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e fëmijëve, pasi lënda e Teknologjisë së Informacionit në arsimin parauniversitar deri më tani, ngrihet mbi bazën e mësimeve teorike dhe nuk përfshin arsimin fillor.
Kështu, me anë të këtij projekti do të hartohen kurrikula të reja të Teknologjisë së Informacionit nga klasa e parë në tretën për ciklin fillor dhe do të sigurohet platforma online për të mbështetur mësimdhënien dhe trajnimi i mësuesve përgjatë katër viteve.
Brenda vitit 2030, synohet certifikimi i 100,000 profesionistëve të TIK-ut përmes qendrave të trajnimit në gjithë vendin, që Shqipëria të mbushë hendekun me konkurrentët rajonalë dhe me vendet e BE-së.
Për shkak të rëndësisë së kësaj nisme, sot po investojnë në digjitalizim subjekte kombëtare dhe të huaja sikurse ADDF, me hapjen e qendrave teknologjike “Tumo” dhe “Akademia e Kodimit”, dhe së shpejti me “Piramidën” për të aftësuar të rinjtë me njohuritë e reja.