Pas dështimit të ruandit të dytë, mblidhet sot Konferenca e Kryetarëve për të vendosur datën e mbajtjes së raundit të tretë të zgjedhjes së Presidentit.

Sakaq, edhe në këtë raund opozita ka të drejtë të propozojë kandidatin për President, por sikundër ka paralajmëruar edhe kreu i grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla, nëse edhe ky raund do të digjet, atëherë do të jetë maxhoranca që do të zgjedhë kreun e ri të shtetit.

Megjithëse java nisi me një pakt mes maxhorancë dhe opozitës që i jepte kësaj të fundit të drejtën që të propozojë kandidatë në raundin e dytë dhe të tretë, konsensusi zgjati më pak se 48 orë.

Mëngjesin e të premtes grupi parlamentar socialist shpërndau një deklaratë të shkurtër ku kujtonte se, dakordësia mes palëve është që opozita të sjellë një emër në raundin e dytë dhe të tretë, i cili duhet të vijë me firma mbështetëse.