Amber Heard ka dëshmuar për dhunë fizike dhe abuzim seksual të ushtruar ndaj saj nga aktori Johnny Depp. Në podiumin e gjykatës, duke thënë se gjyqi ishte “gjëja më e vështirë dhe e dhimbshme” për të teksa rrëfeu një ngjarje mes çiftit në vitin 2013 ku ajo e akuzoi Depp se kishte nisur të bëhej i dhunshëm.

Ajo tha se Depp e qëlloi me shuplakë tre herë pasi ajo ‘qeshi’ për një tatuazh të tijin ku shkruhej “Wino”. Më parë tatuazhi ishte “Winona Forever’ dedikuar ish-bashkëshortes Winona Ryder, por më pas aktori e shkurtoi.

“Ai më qëlloi dhe unë qesha sepse nuk dija ç’të bëja tjetër. Mendova se duhej të ishte shaka…nuk e dija ç’po ndodhte. Nuk doja të ishte e vërtetë. E dija që ishte e gabuar dhe se duhej ta lija dhe kjo më theu zemrën sepse nuk doja ta bëja… gjëja më e mirë që më kishte ndodhur”, ndërsa ajo ishte rrëzuar nga të goditurat.

Më tej, Heard tha se aktori i kishte kërkuar falje ‘thellësisht’, i ishte gjunjëzuar duke qarë duke iu betuar se ‘e kishte burgosur përbindëshin’. Kur e pyetën nëse ajo kishte vazhduar të qëndronte me të pas kësaj, ajo e pohoi: “E bëra, besova se kishte një kufi që ai nuk do ta kapërcente më”.

Në vazhdim të dëshmisë së saj, aktorja e “Aquaman” shpërtheu në lot ndërsa përmendi një tjetër episod ku sipas saj, Depp kishte kryer abuzim seksual pas një feste me disa miq ku kishin konsumuar ekstazi.

Sipas saj, një grua i ishte afruar duke nxitur xhelozinë e aktorit, edhe pse nuk kishte pasur diçka të dyshimtë në veprimin e saj. Kur të dy u ndanë veç të tjerëve për të folur, Depp ka nisur t’i ulërasë: “ku e ke fshehur?” Amber tha se ai po kërkonte për kokainë duke kontrolluar trupin e saj.

“Më grisi fustanin…më kapi nga gjinjtë, më prekte kofshët, më grisi të brendshmet. Nuk kishte aspak kuptim dhe ai më tha se po kryenim një kontroll për drogë, më pas futi gishtat brenda meje. Unë thjesht qëndrova duke parë një fener idiot, nuk dija se ç’të bëja…teksa ai bëri atë”, tha Heard duke shpërthyer në lot.

“Ai rrotulloi gishtat dhe unë nuk i thashë të ndalte apo diçka”. Duke mbajtur linjën e problemeve të aktorit me konsumimin e alkoolit dhe drogërave, kësaj here ajo kujtoi një ngjarje në makinë, me dëshmitarë të tjerë.

Heard tha se Johnny kishte marrë njërin prej qenve të tyre dhe e kishte mbajtur jashtë dritares së makinës, ndërsa të tjerët kishin ngrirë në vend dhe nuk reagonin me frikën se mund ta lëshonte krijesën.

Në detaje të tjera të dëshmisë së saj, Amber cilësoi se Depp reagonte në bazë të drogës që konsumonte duke specifikuar edhe disa prej llojeve të përdorura. “Johnny me amfetaminë është ndryshe nga ai në opium. Johnny me opium ndryshon nga ai me Adderall dhe kokainë, i cili është krejtësisht tjetër nga ai me quaaludes”.

Ndër të tjera, ajo dëshmoi se Depp drogohej ose dehej aq shumë sa nuk i mbanin gjë zorrët dhe i binte të fikët mbi të vjellat e tij. Atë e pastronte vetë ajo ose ekipi i tij i sigurisë.

Në favor të Heard, dëshmoi edhe psikologia klinike, Dawn Hughes që tha se Heard kishte përjetuar shpesh ngjarje të dhunshme seksuale kur aktori ishte nën efektin e drogërave. Sipas saj, ai kishte tentuar ta penetronte atë me një shishe bosh vodke, teksa mendimi i vetëm i Heard ishte “uroj të mos jetë e thyera”.

Nga ana tjetër, ndërsa gjyqi vazhdon, Depp ka akuzuar Heard se ajo ka qenë abuzuesja e vërtetë e marrëdhënies së tyre që e ka sulmuar atë fizikisht dhe verbalisht gjatë martesës së tyre.