Ndonëse jashtë vendit për shumë dekada, familja e themeluesit të shtetit shqiptar Ismail Qemalit nuk i ka reshtur tentativat për t’u kthyer në atdhe. Nedim Vlora, stërnipi i tij ka treguar për News24 se sigurimi i ka shkuar në shtëpi në Bari dhe e ka kërcënuar që të tërhiqet. Ai thotë se ka ndihmuar shumë emigrantë dhe ka sjell sipërmarrës për të investuar në Shqipëri.
– Kishte një moment që ju kishit idenë që të vinit në Shqipëri dhe të rrëzonit regjimin komunist. e kë do vinit, çfarë do bënit?
E kisha kuptuar që situata nuk ishte ajo që po na tregonin, ajo që na pikturonin. Kisha kuptuar që gjërat në fakt nuk shkonin fare mirë. E dija që nuk mund të bëhej shumë. Por kisha vendosur të merrja një anije, të vija në mes të Adriatikut në ujëra kontinentale që asnjë shtet të mos mund të thoshte asgjë. Doja të vija këtu për të zgjuar pak popullin. Kishte nisur kriza e murit të Berlinit, kishte nisur situata në Rumani dhe ishte momenti. Unë kontaktova te refugjatët e parë që kishin mbërritur ne Brindisi. Arrita të vij në Kakavi në 1990. Aty më vunë para pistoletën. Nuk donin të më linin të hyja, munda të ikja nga Gjirokastra. I mbijetova edhe një atentati tjetër. Ishte një atentat që mu bë ndërsa po përpiqesha të hyja te Dajti.
Në Bari kisha bërë një asamble për një qeveri të Shqipërisë së Lirë në Itali. Më erdhi Sigurimi dhe më thanë se nëse lëvizja do më hiqnin qafe. Gjërat më pas ndryshuan sepse këtu pati një lëvizje nga brenda.
– Ju bënë atentat, si do ju hiqnin qafe?
Isha nisur nga Italia kur këtu nuk kishte ende asgjë. Ndaj më erdhi Sigurimi në shtëpi dhe praktikisht më kërcënoi në Bari, dhe më kërkoi të tërhiqesha. Ishim ftuar në një panair. Ishin dy veta, njëri e mori babanë tim mënjanë, më pas kuptuan që isha unë problemi. E kujtoj ende pamjen e tij sepse më pas e kam parë atë njeri te Dajti, ai më pa, kuptoi që unë e njoha dhe u zhduk menjëherë.
– Pas 1990-ës familja e mbretit u rikthye. Ju e menduat të riktheheshit në Shqipëri?
Kam ardhur dhjetëra herë për të ndihmuar sadopak, kam sjellë sipërmarrës. Në Itali kam bërë disa konferenca për të ftuar njerëz që vinin në Shqipëri të investonin. Kam ndihmuar njerëz, refugjatë, ju kam gjetur punë, një vend që të jetonin. Më pas kuptova që aksioni im ishte i kotë, sepse kishte lidhje të tjera që duhej të funksiononin. Ndaj u tërhoqa, kisha nisur të jepja bezdi, sepse ata donin lidhje të drejtpërdrejta.