Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i pranishëm sot në homazhet e kryera në Memorialin e ri të 225 Dëshmorëve të Atdheut, pjesë e trupës së Policisë së Shtetit, ka shprehur mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë të rënëve në krye të detyrës.
Bashkia e Tiranës ka dhënë kontributin e saj për financimin e kësaj vepre.

“Sot Bashkia e Tiranës i bashkohet këtij komuniteti, komunitetit të atyre që janë rojet e së mirës, qoftë edhe me këtë kontribut modest të një memoriali dinjitoz, pra për të pasur një vend për të vendosur një kurorë me lule, apo për të qenë përtej 5 Majit një kujtesë e përditshme e të gjithë atyre që veshin uniformën çdo ditë në mëngjes dhe largohen me zellin edhe pasionin për t’i shërbyer vendit, duke na garantuar të gjithëve sigurinë e përbashkët, por mbi të gjitha për të kujtuar që disa njerëz këtë mision e kanë paguar me çmimin më të shtrenjtë, që është jeta e një njeriu. Sot jemi diskutuar për luftëra që ndodhin diku larg dhe shumë mirë që ne vlerësojmë heroizmat e popujve të ndryshëm, por kemi shumë heronj brenda nesh. Dhe kishte ardhur koha, madje ishim vonë për të pasur këtë memorial. Dua të falënderoj shumë Agim Radën me gjithë skuadrën e Bashkisë që ndihmoi, insistimin e Gledisit që këtë vit 5 Maji të na kapte me këtë hapësirë dinjitoze që shpresoj të jetë një mënyrë sesi qyteti dëshmon mirënjohjen e vet për sakrificën e të dashurve tuaj,” iu drejtua Veliaj familjarëve të Dëshmorëve të Policisë.

Kryebashkiaku vlerësoi maksimalisht punën e Policisë së Shtetit falë të cilës tha ai sot klasifikohemi si një nga kryeqytetet më të sigurta në Europë.

“Unë besoj që kur dikush vesh uniformën me stemën e Republikës së Shqipërisë, ndoshta kryen shërbimin më dinjitoz që dikush mund të ofrojë në Republikë. Unë e di që çdo punë është e nderuar, por janë disa punë që ndoshta janë punët me delikate. Janë ato punët që janë me frontin e së keqes. Edhe për këtë rojtarë të së mirës që dhanë jetën e tyre, më vjen shumë mirë që Bashkia dha këtë kontribut. Ky qytet është sot një nga kryeqytetet më të sigurta në Europë. Unë e kuptoj që jemi ballkanas, ndoshta kultura jonë që mezi na del fjala e mirë, mezi i themi njëri-tjetrit që jemi krenarë për ta, e vlerësojmë shumë punën dhe mundin e tyre, por unë besoj që ka ardhur koha për të ngritur figurën e policit, zjarrfikësit dhe të ushtarakut. Kështu që unë sot dua të bëj pikërisht këtë, t’ju them sa mirënjohës jam për të gjithë ata që veshin uniformën, sa mirënjohës jam për familjet e dëshmorëve të rënë dhe sesi ky gjest dhe ky park memorial shpresoj të jetë jo vetëm një moment dhe një vend nderimi, por edhe një moment reflektimi, sesi ne mund ta bëjmë shoqërinë më të mirë,” vijoi kreu i Bashkisë.

Qeveria Shqiptare ka akorduar statusin “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” për fëmijët, prindërit e të cilëve dhanë jetën në krye të detyrës, mes të cilëve edhe shumë prej Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.