Puna në procesin e ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare po jep rezultate mjaft të mira. Përfaqësues të universiteteve të huaja prestigjioze po vizitojnë Shqipërinë me qëllim zgjerimin e bashkëpunimin akademik me universitetet shqiptare.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi priti në një takim përfaqësues dhe rektorë nga universitete të Italisë, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në kuadër të ndërkombëtarizimit të universiteteve, së bashku me Prof. Arben Gjata dhe Prof. Edit Xhajanka prita me kënaqësi në MAS Prof. Sergio Caputi, Rektor i Universitetit “G. D’Annunzio” Chieti – Pescara, Prof. Rosa Chaviano Moran, Zv/Dekane në Rutgers School of Dentistry, Universiteti i New Jersey, Prof. Francesco Inchingolo nga Universiteti “Aldo Moro” në Bari dhe Z. Florian Beuer, Drejtor i Charite Berlin në Gjermani,” – shkruan ministrja Kushi në rrjete sociale.
Në këtë takim u diskutua në lidhje me bashkëpunimet e nisura për programet e përbashkëta të studimit, shkëmbimin e studentëve dhe pedagogëve, si dhe për rishikimin e mundësive të mëtejshme mbi zgjerimin e bashkëpunimit.
“Diskutuam mbi 2 programe të përbashkëta master në fushën e shëndetësisë, organizimin e konferencave dhe projekteve kërkimore shkencore, si dhe intensifikimin e shkëmbimeve mes studentëve dhe stafit pedagogjik,” – shprehet ministrja.
Universiteti “Gabriele d’Annunzio” Chieti – Pescara dhe Universiteti i Mjekësisë Tiranë sapo kanë finalizuar aplikimin dhe dokumentacionin për aktivizimin e këtyre dy programeve të përbashkëta.