Nga Jakin Marena
Këto ditë në Shqipëri kanë qënë të mbushura me ngjarje e situata të papërsëritshme, të cilat kanë bërë që shqiptarët të gjenden në një pozitë tepër të vështirë zgjedhjeje për t’i dëgjuar, parë dhe përcjellë mes tyre.
Zgjedhja e Presidentit të ri është kthyer në një “sagë” të pafund takimesh dhe negociatash, ku folësit, pra deputetët që përfaqësojnë grupet parlamentare, më shumë se sa për përzgjedhjen e një emri për ta votuar si kreun e shtetit, po kujdesen për fjalët që do të hedhin në tregun politik për auditorin e gjërë qytetar. Sidomos kur janë dhe mediat prezente. Madje duke i kërkuar me ngulm ato, si kusht për të marrë pjesë në negociata.
Pra bëhet politikë me zgjedhjen e Presidentit, ndërsa shumica e shqiptarëve ka nisur ta shohë dhe si një gallatë procesin, ku “bastet” kapin kuotat më të larta, sidomos te aftësia që kanë politikanët shqiptarë për të bërë kthesa 180 gradëshe qëndrimesh brenda 24 orëve apo dhe disa orëshe.
Në krye të listës qëndrojnë të gjitha pjesët e opozitës, ato brenda PD-së por dhe aleatët e tyre, të cilët çfarë e thonë sot, nuk e thonë nesër. Gjithnjë për zgjedhjen e Presidentit të ri po flasim. Nuk po hyjmë në detaje për të risjellë në kujtesë faktin se sa herë që PD ka qënë në mazhorancë i ka rënë shkurt: Ka zgjedhur një nga zyrtarët e saj më të lartë për ta bërë kryetar shteti.
Nuk e ka pyetur fare opozitën, apo ka bërë sikur e ka pyetur dhe ka “shqyrtuar” kandidaturën e saj, duke pasur në mendje për të votuar ose kryetarin e PD, ose nënkryetarin e PD ose një nga sekretarët e kësaj partie. Dhe i ka zgjedhur. Ndryshe nga PS, që vetëm një president nga radhët e saj i ka dhënë vendit, ndërsa ka votuar dhe një të propozuar nga opozita si president konsensual. Kemi parasysh rastin e Alfred Moisiut, gjenerali në pension që bëri vërtetë presidentin e vendit, si simbol i unitetit të kombit, duke qëndruar mbi palët.
Dhe këtë radhë, votat për të votuar kryetarin e shtetit i ka PS dhe Edi Rama, por po kërkojnë me ngulm që opozita të propozojë emrat për President, ndërsa palët janë kapur për procedurat. E do të sigurtë opozita me sa duket, ose nuk ka 20 firmat për të propozuar kandidatët për President. Më shumë se sa me mazhorancën, opozita duket se e ka inatin mes vetes.
Ish kryeministri Sali Berisha që realisht dominon PD dhe po pritet të certifikohet pas disa ditësh, në fillim e quante tradhëti uljen me PS e Ramës për të negociiuar për kreun e shtetit. Pastaj në mënyrë të papritur cakton dy negociatorë për të biseduar me mazhorancën dhe pjesët e tjera të opozitës dhe kërkon për të dalë me një emër nga opozita për kryetar shteti.
Teksa Rama dhe PS janë të prerë se nuk ulen me “botën e përtejme” pra Berishën e përfaqësuesit e tij për të zgjedhur Presidentin, Berisha ende nuk ka tërhequr “legatën” negociuese Bylykbashi-Boçi nga cepi i fushës së bisedimeve duke qëndruar ‘non stop’ i vetëofruar për negociata, Alibeaj që merr pjesë në tryezë me mazhorancën flet për procedura pa hyrë në çështjen e emrave. Shqiptarët argëtohen, se e dinë se në radhë të parë është më e vështirë të gjendet konsensusi mes vetë opozitës, sesa mes të gjitha pjesëve të saj me mazhorancën. Kujtojnë “Itifadën” e Berishës më 8 janar teksa tentoi të pushtonte selinë e PD, me qyski, makineri prerëse dhe mjete të tjera rrethanore, pa ia dalë të “shpojnë” dyert e blinduara nga Lulzim Basha.
“Piruetat” e drejtuesve të 3 grupeve në PD, apo dhe disa aleatëve opozitarë kur socialistët u kërkojnë të propozojnë 4 emra apo sa të duan për kandidatë për president që t’i diskutojnë, vijnë për shkak se asnjëra prej pjesëve të opozitës nuk i bën dot 20 firma për t’i propozuar. Dhe për këtë mangësi duan me patjetër dakordësinë në parim të mazhorancës pa paraqitur kandidatë, në mënyrë që të “thithin” dhe ndonjë firmë që të bëjnë kuorumin e listës propozuese.
Një situatë e tillë ngërçi politik është reflektuar që nga Presidenti aktual Ilir Meta, e deri tek kreu i rithemelimit Sali Berisha, dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi. Mjafton një deklaratë, një akuzë apo një artikull në një media të huaj, që krerët e opozitës të destabilizohen dhe të bëjnë deklarata të atij kalibri sa as njeriu më i zakonshëm s’mund t’i përtypë dhe jo më t’i hedhë në media.
Kjo ka bërë që situata të precipitojë në sjellje komike të atilla, sa shqiptarët po kalojnë dhe këtë situatë krize çmimesh të shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë, me këtë humor që po prodhon politika opozitare. Humor krize mund të thotë ndokush, po ama “rrënja” e fjalës është humor. Dhe shqiptarët po argëtohen rëndë.
Po i marrim me radhë sipas moshës dhe rëndësisë, të gjithë ata politikanë që kanë shërbyer si burim humori me deklaratat e tyre për qytetarët shqiptarë, duke e filluar me ish kryeministrin.
Sali Berishës, të rikthyerit nga “varri” politik, pasi dëboi Lulzim Bashën nga drejtimi i PD si një “besëprerë” funksional sipas tij, sepse pas shpalljes ‘non grata’ të familjes ish kryeministrore, dhe ish kreu demokrat ia dha një të “shtyrë” duke e përjashtuar nga grupi parlamentar, i është mbushur mendja se është si miliarderi amerikan Steve Jobs.
Berisha tha një ditë më parë para mbështetësve të tij në Durrës se kthimi i tij në politikë ngjason me rastin e rikthimit të miliarderit amerikan. “Kthimi im është si kthimi i Steve Jobs, i cili pas një seri pabesirash dhe qëndrimesh që e nxorën në rrugë, u kthye dhe me një I Pad-in ndryshoi botën, ndërsa ne së bashku do të ndryshojmë Shqipërinë”, deklaroi Berisha.
Ishte shumë serioz kur e tha, për të dhënë mesazhin se e kishte me gjithë mend këtë krahasim, çka ka bërë që mbështetësit të shtojnë brohorimat ndërsa shqiptarët të shqyejnë sytë. Deri këtu askush nuk e kishte menduar se mund të arrinte një politikan, i cili ka qënë në pjesën më të madhe “violinë e parë” në drejtimin e shtetit shqiptar, si Sali Berisha.
Dita e kiametit ka ardhur do të thotë ndokush, pasi mund të deklarohet dikush tjetër për të, por të vetë-vlerësohesh në këtë farë feje e njëhsohesh me një figurë qëndrore të teknologjisë botërore, kuptohet me paratë e tij mund të krahasohen politikanët shqiptarë, shprehja më e butë do të ishte lajthitje, ndërsa shprehja më normale do të ishte çmenduri.
E kuptojmë se Berisha ka hall, është shpallur familjarisht “non grata” nga SHBA për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë e presion mbi gjykatat, partnerët ndërkombëtarë e kanë thënë qartë se me një PD të drejtuar nga Berisha nuk do të ketë asnjë bashkëpunim, e shmangin nga axhendat e të gjitha takimeve, dhe dera e zyrës së tij ka zënë “merimanga” pasi asnjë i huaj nuk ka shkelur në prag.
E kuptojmë se Berisha ka hall edhe me drejtësinë, pasi dosjet e rënda që nga “Gërdeci”, “21 janari” e deri te afera e CEZ-DIA po i vërtiten para e prapa. Por një lajthitje e tillë që të krahasosh veten me Jobs është shumë e vështirë të kapërdihet nga qytetarët shqiptarë. Vetëm në trajtë humori mund të konsumohet kjo deklaratë.
Kuptohet pjesë e destabilizimit total të Sali Berishës është dhe kryeministri Edi Rama, i cili nuk lë rast pa deklaruar se Berisha është “i vdekuri” politik dhe mesazhet e ish kryeministrit nëpër takime apo panele televizive i cilëson si të ardhura nga “bota e përtejme” që s’merren parasysh. Kaq duhet, dhe Berisha lëviz nga “binarët” normalë e bën deklarata të këtij kalibri.
I dyti në radhë është Presidenti aktual i Republikës Ilir Meta, dhe njeriu që më 25 korrik do të marrë drejtimin e LSI, e pse jo dhe të opozitës bashkë me Sali Berishën. Izolimin nga ana e ndërkombëtarëve Meta tashmë ka nisur ta kalojë me sportivitet. Dhe ishte qetësuar për ca kohë, i pajtuar me situatën ku asnjë zyrtar amerikan që vjen në Shqipëri nuk e takon, paçka se është President i vendit. Madje as në 100 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA nuk kishte ftesë.
Por ka mjaftuar një artikull në gazetën më të madhe austriake “Kronen Zeitung” ku Ilir Meta akuzohej se ka përdorur 700 mijë euro për të lobuar në SHBA për një foto me ish presidentin amerikan Donald Trump, që Presidenti të dalë para mediave e të përpiqet të përgënjeshtrojë ato që shkruhen në artikull. Një reagim i shpejtë, pasi në këtë artikull përmendej dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi si drejtuese e LSI, që sipas artikullit shpenzon shuma të mëdha për operacione plastike.
Përtej sqarimeve apo kërcënimeve me gjyq ndaj medias në fjalë nga ana e Metës, në memorien e shqiptarëve zunë më shumë vend deklaratat e tij të tipit se mezi e presin të futet në politikën aktive, njësoj siç u prit “Mesia” nga të krishterët në vitet e para të mijëvjaçarit të parë pas Krishtit. “Shqipëria e pret Ilir Metën që i rreh zemra për interesin kombëtar. Dhe mbrojtja e mbështetja e çështjes së Kosovës, por edhe shumë çështje të tjera të rëndësisë kombëtare janë dëmtuar seriozisht nga marrëveshja e 5 viteve më parë. Ne e kemi kohën përpara. Shqiptarët presin një lidershipi që mban fjalën. Shqiptarët presin llogaridhënie nga të gjithë. Meta ka armët më të forta, që janë e vërteta dhe transparenca. Meta nuk i është shmangur asnjëherë drejtësisë. Integrimi evropian do jetë prioritet kryesor për mua por në radhë të parë është sovraniteti. Se kemi cenuar pa dashje, disa me dashje në mënyrë të rëndë sovranitetin. Kam qenë, jam e do mbetëm në shërbim të popullit të Republikës se Shqipërisë e shqiptarëve kudo që ndodhen.
Kam krijuar forcë për të zhbllokuar integrimin e vendit që e bllokonte PS. Ishte krijimi i asaj force politike që garantoi rotacionin në 2005 e solli firmosjen e marrëveshjes se stabilizim asociimit që mbahej peng nga lidershpi i PS atëherë”, deklaroi Meta para mediave.
Ka folur Meta në vetë të parë për Metën në vetën e tretë. Eshtë anormale për një njeri normal që të arrijë deri këtu sa ta quajë veten një lider që mezi e presin shqiptarët, një “Mesi” që po pritet me padurim nga shqiptarët për t’i shpëtuar. Por për disa politikanë, kjo duhet të merret normale. Madje dhe për disa panelistë, që ishin në garë kush e kush ta mbronte më shumë Ilir Metën nga investigimi i medias austriake, asaj mediaje që parashikoi operacionin serb “Patkoi” që deportoi gati një milionë shqiptarë të Kosovës jashtë territorit të saj, apo raste të tjera. Një lajthitje në të vërtetë deri në çmenduri ky vetëshërbim i Metës ndaj Metës. Po siç nënvizuam, nga halli çfarë nuk bën, dhe presidenti aktual që ka shumë dosje në kurriz, kur dëgjon akuza që e vënë para drejtësisë, nuk përmbahet. Përgjimi i Priftit me bllok në dorë duke kërkuar ryshfet, afera CEZ-DIA dhe dosje të tjerë në ngarkim të tij, janë peshë e rëndë dhe presin zgjimin e drejtësisë.
E treta në radhë është kryetarja e LSI Monika Kryemadhi, njëherësh bashkëshorte e presidentit aktual Ilir Meta që t’i dorëzojë drejtimin e kësaj partie, që e quajnë dhe pronë familjare të tyre.
Nuk po hyjmë gjatë në atë çka ka shkruar gazeta austriake për operacionet plastike të saj, pasi për respekt ndaj femrës dhe xhentilesë mund të themi se çdo femër ka bukurinë e saj, ka moshën e saj që nuk duhet të përmendet asnjëherë. Eshtë rregull i pashkruar ky dhe e respektojmë.
Por Kryemadhi nuk qëndron pa komentuar akuzat e gazetës austriake dhe reaguar ndaj mediave shqiptare ku pjesa më e madhe e tyre vendosën në “kolazh” fotot e saj që nga podiumi i FRESSH në krye të herës, ceremoninë e betimit në bashki pas martesës me Ilir Metën, hap pas hapi me lindjen e fëmijëve, deputete për herë të parë, pastaj dhe si kryetare e LSI. Duke evidentuar ndryshimin dhe tentuar të përligjin akuzën se ka bërë operacione plastike. Por sipas rregullit të pashkruar prirem të them se ka ndryshuar me moshën, ku Kryemadhit me sa duket kalimi i viteve i ka ardhur më për mbarë dhe e ka ndryshuar për mirë.
Por deklaratat justifikuese dhe mënyra e mohimit nga ana e Kryemadhit ndaj akuzave nuk të lë shije të mirë. Për më tepër është krahasimisht i të njejtit kalibër me ato të Berishës e Metës.
“Më akuzojnë për bukurinë që më ka falur nëna ime, pavarësisht se jam shumë e indinjuar se ende nuk kam bërë asnjë operacion plastik, jam ende shumë e re nuk kam abuzuar me jetën time, as me drogëra as me alkool.Acidi dhe botoksi nuk janë operacione plastike, operacione janë kur tërheq gjoksin dhe fytyrën dhe ata që e kanë bërë shkrimin i kanë bërë vetë mos ja u them edhe ku i kanë bërë. Prandaj ata që kanë shkruajtur artikullin të rrinë rehat sepse Monika Kryemadhi është në genetikisht shumë në formë. Çdo ndërhyrje kirurgjikale për probleme shëndetësore që unë kam bërë i kam deklaruar dhe të jeni të bindur se ky është një proces që nuk e fsheh dot”, tha Kryemadhi për një emision televiziv. Ishin të tepërta për shqiptarët që janë të prirur të shohin me lupë gjithçka, dhe më pas të bëhesh objekt i humorit të tyre. Nuk po zgjatem më.
Ajo që mund të them në fund të herës është e ilustruar me atë shprehjen e famshme që thotë se “mirë që u çmendën të gjithë, po pse u çmendën të gjithë njëherësh, në të njejtën kohë”!