Ndeshja e Conference League në Tiranë la pa gjumë Romën dhe Roterdamin. Pas fitores, në Romë, tifozët pritën deri në 5 të mëngjesit që të mbërrinte ekipi dhe të festonin me ta ndërsa tifozët holandezë ishin të revoltuar dhe shkaktuan trazira në Roterdam. Policia ndërhyri menjëherë dhe janë arrestuar 72 persona. Ndeshja doli me rezultatin 1-0 për Romën, ndaj tifozët dolën në rrugët e Italisë për të fituar një trofe që kishte munguar për 14 vite.
Rreth një mijë tifozë prisnin uljen e ekipit në Romë megjithëse mbërriti rreth orës 04:45. Autobusi me ekipin nuk kaloi mes tifozëve për arsye të rendit publik. Ndërsa rreth 100 persona prisnin autobusin që mbërriti në orën 05:15, Pellegrini mbante trofeun pranë shoferit, ndërsa lojtarët e tjerë përjetuan atmosferën teksa filmonin të gjithë tifozët që ishin pranë tyre.
Festa nuk mbaroi këtu. Më pas, i gjithë ekipi u ngjit në tarracën e pallatit në Piazzale Dino Viola. Secili prej lojtarëve dilte me kupën në dorë dhe thoshte “ole” para tifozëve. Kapiteni i Romës, Pellegrini mori fjalën: “Ky trofe është për ju, forca Roma.”
Më pas të gjithë lojtarët ngritën kupën para romakëve deri te José Mourinho i cili falënderoi tifozët. Sot festa do të vazhdojë, Roma po organizon një event për një tjetër falënderim për tifozët që i kanë mbështetur gjatë gjithë sezonit.