Në 25 maj në Tiranë do të luhet finalja e parë e Conference League dhe tashmë janë mësuar edhe dy skuadrat që do të luajnë në Arenën Kombëtare, Roma e Feyenoord.
Kështu, kryeqyteti futet zyrtarisht në ethet e përgatitjeve për finalen e parë europiane në Shqipëri. Numërimi mbrapsht për finalen e 25 majit në Tiranë tashmë ka filluar.
Janë projektuar tashmw edhe dy skuadrat që do të mbërrijnë në aktin e fundit të Conference League për ti dhënë emocione të jashtëzakonshme kryeqytetit shqiptar, që për herë të parë në histori bëhet epiqendra kontinentale për zhillimin e një finaleje të një kompeticioni të UEFA-s.
E si e tillë, sigurisht që përgatitjet do të jenë intensive dhe të detajuara. Pritet një dyndje e vërtetë tifozësh: flitej për mbi 35 mijë tifozë që do ti drejtohen Tiranës për të parë ndeshjen në stadium apo qoftë edhe në fan zone, pë rata që nuk do ta kenë të mundur të sigurojnë një biletë për finalen. Por duke parë se në Arenën Kombëtare do të zbresë në fushë Roma, numri i tifozëve mund të jetë shumë më i madh, edhe për shkak të afërsisë mes dy vendeve.
Përgatitjet kanë nisur tashmë dhe Tirana është përfshirë nga ethet, duke nisur nga aeroporti, në hoteleri e për të përfunduar në stadium. Modifikimet e kërkuara nga UEFA e kanë reduktuar në 21 mijë vende kapacitetin, për shkak se në tribunën e miqve, është parashikuar vendosja e katër studiove të reja televizive që do të shërbejnë për transmetuesit zyrtarë të ndeshjes. Tribuna e medias, nga 75 vende aktuale do të zgjerohet në 300, për një stadium që parashikohet të jetë i tejmbushur. Në krahun verior do të vendosen 4500 tifozët e Feynoord, ndërsa në numër të barabartë, por krahun jugor, do të vendosen tifozët e Romës, për të shmangur kështu përplasjen mes tyre me në mes tifozët asnjëanës.
Është e pamundur në fakt që kapaciteti i stadiumit të përmbushë interesimin e madh të tifozëve, kështu që UEFA ka vendosur që të ketë dy pika grumbullimi tifozësh në kryeqytet, ku njëra do të jetë në pedonalen e kryeqytetit, ku do të mblidhen tifozët e Feyenoord, ndërsa pika tjetër do të jetë te diga e liqenit, ku pritet të jenë tifozët e Romës.
Nuk kanë reshtur ndërkohë inspektimet e UEFA-s në aeroportin e Rinasit me përfaqësues të Aviacionit Civil dhe Policisë së Shtetit e takimet me përfaqësues të Bashkisë Tiranë në lidhje me sheshet e përcaktuara për t’u mbledhur tifozët, parkingjet, facilitetet që duhen krijuar, rrugët që do të bllokohen në ditën e finales, por edhe banerimin e qytetit para finales së madhe. Pa u ndjerë, Tirana është future në ethet e një finale që sido të përfundojë do të jetë historike: Roma apo Feyenoord do të marrin trofeun e parë të Conference League…