Sipas presidentit të kompanisë amerikane të energjetikës, “Linden Energy”, vizita në Tiranë e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo u pagua nga kompania, ndërsa siguria e tij u mor përsipër nga qeveria amerikane-Grupi i Sali Berishës pretendonte se Pompeo mori një shumë të majme, të shfaqej në Tiranë krah Ramës
Ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u shfaq në krah të kryeministrit Edi Rama gjatë firmosjes së një memorandumi mirëkuptimi mes kompanisë shqiptare të gazit, AlbGaz dhe kompanisë bullgare “Overgas” për zhvillimin e projekteve energjitike të hënën në Tiranë.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe Stephen Payne, president i kompanisë amerikane “Linden Energy”, e cila ka nënshkruar një marrëveshje për blerjen e 50% të aksioneve të kompanisë bullgare të gazit “Overgas”.
Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë gjatë ceremonisë, ish-sekretari i shtetit, Pompeo është kryetar i bordit të Këshillimit të “Linden Energy”.
Presidenti i Linden Energy, Stephen Payne dhe anëtari i bordit drejtues të Overgas, Matthew Bryza e cilësuan projektin e bashkëpunimit me kompaninë shqiptare AlbGaz si të rëndësishëm dhe të mbështetur nga qeveritë shqiptare dhe amerikane.
I pyetur nga BIRN për vizitën e Z. Pompeo në Tiranë, Payne tha se udhëtimi dhe qëndrimi i tij ishin paguar nga kompania “Linden Energy”, ndërsa shtoi se siguria “është marrë përsipër nga qeveria e Shteteve të Bashkuara”.
Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga kryeministria, kompania Overgas ka shprehur interes për t’u furnizuar me gaz përmes terminalit që do të ngrihet në Vlorë. Kryeministria e konsideroi këtë një projekt me rëndësi të veçantë, i cili “po bëhet realitet me kompanitë më të njohura amerikane”.
“Është një moment i shënuar për një nga projektet tona më të rëndësishme dhe strategjike që ka të bëjë me gazifikimin e Shqipërisë, duke iu referuar projektit të Termocentralit të Vlorës të pjesës gazifikuese të portit lundrues, që do të ndërtohet në Vlorë dhe padyshim të një hapi të madh që ne po hedhim duke e kthyer këtë projekt nga një projekt lokal në një projekt rajonal,” tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë ceremonisë së nënshkrimit.
Më herët, Pompeo përshëndeti dhe konferencën “Together- Krah për Krah”, kushtuar 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA, ku vlerësoi marrëdhëniet e gjata mes dy vendeve.(BIRN)