Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen thotë se BE-ja “nuk është ende atje” në lidhje me një marrëveshje për një paketë të gjashtë sanksionesh, duke përfshirë një ndalim të mundshëm të importeve të naftës ruse.

“Nuk ka qenë kurrë e lehtë. Është e njëjta gjë tani me paketën e gjashtë,” u tha ajo gazetarëve ndërsa mbërriti përpara një samiti të 27 liderëve të BE, shkruan BBC.

“Është shumë e rëndësishme të kemi drejtësi për të gjithë, nuk kemi gjetur ende një zgjidhje për këtë”.

“Pritjet e mia janë të ulëta që do të zgjidhet në 48 orët e ardhshme. Por kam besim se më pas do të ketë një mundësi,” tha ajo.

BE kërkon miratimin e të gjitha vendeve anëtare për të vendosur sanksionet, pavarësisht se i shpalli ato gati një muaj më parë.

Siç kemi raportuar, Hungaria, e cila mbështetet shumë në naftën ruse, është kundërshtari kryesor i ndalimit të importeve.