Kombet e Bashkuara thanë se po kryejnë një “operacion të sigurt evakuimi” të civilëve nga fabrika e çelikut Azovstal, në Ukrainë. Kështu deklaroi të dielën zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinim dhe Çështje Humanitare, Saviano Abreu. Operacioni ka nisur më 29 prill dhe po realizohet në koordinim me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Rusinë, Ukrainën tha Abreu për Reuters.
Ai tha se ekipet kanë arritur në fabrikën Azovstal mëngjesin e të shtunës, por nuk dha më shumë detaje, duke thënë se këto mund të rrezikojnë sigurinë e të evakuuarve. Po ashtu Kryqi i Kuq po ashtu nuk ka pranuar të japë detaje, por vetëm ka konfirmuar se operacioni për evakuimin e civilëve nga Mariupoli është duke u zhvilluar. “Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq konfirmon se po zhvillohet operacioni i evakuimit, në koordinim me OKB-në dhe palët e tjera të përfshira në konflikt”, tha një zëdhënës i kësaj organizate.
Kombet e Bashkuara besojnë se afër 1,000 civilë gjenden në fabrikën e çelikut Azovstal, që është pjesa e vetme e Mariupolit që nuk është nën pushtimin rus. Kjo organizatë beson se afër 100,000 civilë gjenden brenda qytetit të Mariupolit, qytet që ka qenë skenë e luftimeve intensive qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Luftëtarët ukrainas që gjenden në fabrikën e Azovstalit kanë publikuar video më 30 prill, përmes së cilave kanë thënë se po iu mbarojnë furnizimet me ushqim, ujë dhe furnizime të tjera, duke bërë thirrje për ndihmë.