Norma vjetore e inflacionit në mbarë botën, e matur me indeksin e çmimeve të konsumit, u rrit në 9.2 % në mars 2022, nga 7.5 % në shkurt 2022, 6.8 % në janar 2022 dhe 6.4 % në dhjetor 2021. Kështu shkruan organizata ndërkombëtare e statistikave të punës. Norma e inflacionit në mars 2022 ishte më shumë se dyfishi i normës prej 3.7 % të regjistruar në mars 2021. Kjo rritje ndërmjet marsit 2021 dhe marsit 2022 përbën rritjen më të lartë në çdo periudhë 12-mujore që nga fillimi i 2019.
Rritja e përgjithshme e inflacionit pasqyron efektet e lidhura me COVID-19 në 2020 dhe 2021. Megjithatë, kohët e fundit, ajo është nxitur edhe nga rritja e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, veçanërisht që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022. Ky konflikt ka shkaktuar një tronditje të madhe në tregjet e mallrave, duke prishur modelet globale të tregtisë, prodhimit dhe konsumit në një formë, që ka të ngjarë të mbajnë çmimet në nivele të larta në vitet e ardhshme.
Sipas të dhënave në tregun global të mallrave nga marsi 2022, gruri dhe nafta janë aktualisht rreth 50 % më të shtrenjta se sa një vit më parë. Edhe çmimet e drithërave të tjera po rriten. Për vendet importuese, këto rritje çmimesh paraqesin një pengesë të konsiderueshme për rritjen ekonomike dhe jetesën, duke rritur ndërkaq tensionet sociale dhe politike.
Çmimet e ushqimeve, në veçanti, tani janë në rritje. Në mars 2022, ato ishin 9.1% më të larta se në mars 2021. Megjithatë, duhet theksuar se çmimet, veçanërisht ato të ushqimeve po rriteshin edhe para fillimit të luftës në Ukrainë. Kufizimet e lidhura me COVID-19 në lëvizjen ndërkufitare të fuqisë punëtore dhe ndërprerjet në zinxhirët globalë të furnizimit, rritën kostot e prodhimit dhe ulën konkurrencën. Rritjet e fundit të çmimeve të shkaktuara nga lufta në Ukrainë thjesht kanë përkeqësuar presionin aktual mbi çmimet për shkak të kërkesës së lartë dhe mungesës së vazhdueshme të ofertës.
Nuk është vetëm ana e ofertës që u prek nga pandemia. Kërkesa dhe shpenzimet e konsumatorëve veçanërisht për udhëtime, argëtim dhe sende të tjera të mundshme u ulën ndjeshëm pasi njerëzit u kufizuan në aktivitetet e tyre. Rënia e ndjeshme e kërkesës për disa mallra dhe shërbime çoi në uljen e çmimeve të disa artikujve, si karburantet. Si rezultat, inflacioni i përgjithshëm i çmimeve të konsumit në fakt u ngadalësua në nivel global midis marsit 2020 dhe marsit 2021. Teksa kufizimet e lidhura me pandeminë u lehtësuan gradualisht drejt fundit të 2021, kërkesa në rritje e shoqëruar me kosto më të larta të energjisë dhe transportit çuan në një rritje të shpejtë të çmimeve të konsumit.
Në të gjitha rajonet, përveç Azisë Lindore dhe Juglindore, inflacioni vjetor u përshpejtua në gjysmën e dytë të 2021, veçanërisht pas lehtësimit të kufizimeve të lidhura me COVID-19.