NË VEND TË EPILOGUT…

Në kohezionin shpirtëror, njeriu, si krijesë në rrugëtimin e tij, konfiguron portretin e tij në realitetin ekzistues përmes ekzistencës, pjesëmarrjes së tij në këtë realitet, vlerave, koncepteve filozofike, ngjarjeve, të cilat konfirmojnë botëkuptimin dhe vizionin e tij si udhëheqje në jetë.

Pa dyshim, nuk është vetëm pjesëmarrja e tij në këtë realitet, në krijimin e vlerave, prodhimit të tyre nga shoqëria e sotme, por edhe ndikimi i botëkuptimit të sotëm njerëzor, i vlerave, i vizionit, që vetë shoqëria njerëzore i ofron me realitetin e saj rrethues, ku njeriu është jo vetëm si pjesëtar, bashkëjetues, bashkëpunues, por edhe si produkt shoqëror i saj.

Shoqëria e sotme është e mbarsur me plot dukuri shoqërore, që ndikojnë, prezumojnë dhe përçojnë realitetin e kohës si një vizion për të, për të ardhmen, për njerëzimin sot.

Dukuritë, ngjarjet, në realitetin ekzistues janë të shumta. Materiale shpirtërore, të cilat përmbysin dhe formësojnë botëkuptime dhe vizione të ndryshme.

Një ndodhi, një ngjarje e madhe, gjashtë vjet me parë: takim historik i Papa Françeskut me Liderin Botëror të Bektashinjve, Shenjtërinë e Tij, H. Dede Edmond Brahimaj.

VIZION I MADH UDHËHEQËS, VIZION I MADH PËR KOHËN, SFIDË E SHOQËRISË SË SOTME NJERËZORE.

Në të kaluarën kemi bërë luftëra mes besimeve, duhet të pendohemi për to, por nuk është lufta rruga, në të cilën duhet të ecim…

RRUGA QË DUHET TË PËRSHKOJMË ËSHTË AJO E DASHURISË, E PAQES, E DIALOGUT DHE E MIRËKUPTIMIT MIDIS FEVE, VENDEVE, POPUJVE E SHOQËRISË SË SOTME NJERËZORE.

Mesazh hyjnor i Atit të Shenjtë, Papa Françeskut, si 6 vjet më parë, përshkon ende çdo zemër njerëzore, çdo njeri që jeton në çdo skaj të Dheut, në të gjithë Galilenë e Madhe të Kombeve.

KOHË, MESAZHE, VIZIONE, QË TË BËJNË TË PËRJETOSH HISTORI…

10-11 maj 2016. Një ftesë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, një dashuri që do të përjetohet dhe përcillet gjithnjë në kohëra…

Kishte ardhur koha, ora e shenjtë e Zotit. Të gjithë përjetonim ndjenja gëzimi sa dhe aq shumë krenari.

Hyjnizimi na kish pushtuar. Vatikani, obelisk i madh shenjtërie. Statujat e Apostujve të shenjtë, Pjetrit të Madh, paraardhësve të Papëve tanë të shenjtë, të Gjenezës sonë, na zgjuan lavdi. Krenari. Omelitë e tyre te ne tashmë, që ndodheshim në sheshin Shën Pjetër, ushtuan si dikur simfonitë e tyre të bukura, hyjnore, pa mbarim.

Te Papa Shën Eleuteri (171:185 prej një Nikopoliti të Epirit, Prevës, që renditet i 14-ti në listën e Papëve, Shën Urbanit të Parë, 222-230 prej Ilirie, që renditet i 18-ti në listën e Papëve, Shën Kai Papë, 283-296 prej Salone Dalmaci, Papa Gjoni IV Dalmat 640-642, Papa Pali i IV Karafa 1555- 1559, që renditet i 45-ti në listën e Papëve. Gjatë kohës dhe nën drejtimin e Tij botohet libri i parë në gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut. Papa Sisti V Pereti 1585-1590, familja e tij emigroi nga Kotori, që renditet i 229-ti në listë. Papa Klementi XI, Albani 1700-1721, që renditet i 245- ti. Me urdhër të Tij, u mbajt Kuvendi i Arbrit, në 10 korrik të vitit 1703, ku u mor vendimi për hapjen e shkollës së parë shqipe. Ftesa e Atit të Shenjtë bulçoi gëzim, përjetim të pamatë hyjnor. Ati i Shenjtë na kish thirr dhe na priste në shtëpinë e Zotit, në Vatikan, si miq, si vëllai me vëllanë në Zot, Kryegjyshin Botëror.

Hyrja në Vatikan, shesh, në zemrën e Krishterimit, na e bëri më legjitime pjesëmarrjen dhe praninë tonë. Gjeneza na ndriçoi kujtesën… Ne, kombi i parë, që përqafuam Krishterimin. Krishti, porsa u pagëzua, 12 Apostujt u shpërndanë në të gjithë botën, për të përhapur lajmin e mirë. E përhapa Krishterimin nga Jerusalemi deri edhe në Iliri. Letrat e Shën Palit.

Si komb e deshëm këtë shesh. Dashuria për të, e bëri më të ngrohtë, më të gëzueshme, ardhjen në të, praninë tonë.

Me këtë dashuri, urimi i mirëseardhjes, i Kardinal Augusto Miguelit, që do na shoqëronte, së bashku me patriotin, mikun tonë, timin, drejtorin e Radio Vatikanit, për gjuhët evropiane dhe shqipe, Don David Xhuxha, ndër prelatët në zë shqiptarë në Qendrën Botërore të Krishterimit, do të çelte siparin e dashurisë së njerëzve tanë, si njerëz me fat, që do të merrnim bekimin e Atit të Shenjtë.

11 maj 2016, ora 09:00, përjetim emocionesh të parrëfyera. Do të takonim Zëvendësin e Hyut në Tokë, Papa Françeskun. Një ëndërr, që tashmë ishte e vërtetë.

Ç’NDODHI ATË DITË NË VATIKAN… PAPA THYEN RREGULLAT SHEKULLORE…

Pres mikun tim, në shtëpinë e Zotit – ky urim mirëseardhës, me plot patos e dashuri, u përcoll para nesh si një psalt i Shenjtë Hyjnor, i dalë nga goja e Atit të Shenjtë, Zëvendësit të Hyut në Tokë, Pjetrit të Madh të Kishës, Papa Françeskut.

Nji dëlirësi dashurie, simbiozë e pakufishme për mikun e Tij nuk ish shfaqur ndonjëherë në shekuj, në kohë, në historinë e Papatit…

Porsa bëri ballë në sallën e mbledhjeve të paqes, Ati i Shenjtë nuk u ul në Fronin e Tij Papnor, shekullor, por mori vetë poltronin e Tij, edhe pse roja personale kërkoi ta ndihmonte me dashurinë e zjarrtë që e përjetonte për mikun e Tij, mbarti vetë karrigen dhe u ul pranë mikut që e kishte ftuar, si vëllai me vëllanë, në shtëpinë e Zotit.

Një ndjesi vëllazërore. Përtej çdo skaji, çdo dashurie. Një status ndryshe. I pazakontë. Pranë e pranë. Shumë afër njëri-tjetrit. Kokë më kokë. Zemër me zemër, e ktheu takimin, nga zyrtar, në shpirtëror, në hyjnizues. Dy besime, dy liderë botëror, dy Qendra Botërore, Krishterim dhe Bektashizëm, pranë e pranë, të shkrirë nën një rrugë, nën një dashuri, dashurinë e vetme të Zotit. Skenografi që joshi, emocionoi dhe elektrizoi gjithë atmosferën. Ndodhi e patreguar.

Kryetari i Këshillit Papnor të Dialogut të Botës, Kardinal Turanë, me zë të dridhur nga afërsia e dashurisë, me shumë emocion përcolli para Papës, historinë, përkushtimin e Qendrës Botërore, liderit të saj, Kryegjyshit Botëror, Dede Edmond Brahimaj, devizën e Bektashizmit, në kohë, histori, atdhedashurinë, mitizimin e idealit të Tij me kombin. Luftën dhe përpjekjet e liderit të saj, Kryegjyshit Botëror, për kohën e sotme, si vizionar, për të mbjellë paqe dhe dashuri mes gjithë besimeve, si një faktor i rëndësishëm për harmoninë, tolerancën, bashkëjetesën fetare. Luftën e Tij të sotme këmbëngulëse, për paqe dhe siguri në rajon, kundër rrymave të ndryshme radikale, që po përjeton shoqëria e sotme.

Kur Papa dëgjoi fjalët aq të dashura e të shenjta për vëllain e Tij, që e kish mik, i prekur thellë, e ndjeu veten jo më si zot i shtëpisë së Tij, por si vëlla i thjeshtë, mes vëllezërve të së njëjtës familje të Zotit. Afërsia me karrige, shumë pranë afër njëri-tjetrit, çiltërsia e hapur e zemrës së Baba Mondit, jo vetëm që e preku Atin e Shenjtë, por e bëri Atë më të ndjeshëm nga ç’mund të pritej. Salla e mbledhjeve të paqes, e qytetërimit të Krishterimit Perëndimor, po përjetonte një vëllazëri të veçantë, të shkrirë në atë botë hyjnore.

Mendjen dhe zemrën e kam në Shqipëri, te ju, që kur erdha dhe ju takova, te populli juaj, kujtoj rininë, – tha Ati i Shenjtë, – si një vlerë e madhe e një kombi për të sotmen, për të ardhmen e shoqërisë.

Për nderim të veçantë, Papa foli me aq respekt, veneracion, për të gjithë ata njerëz që luftuan për vlera të larta, të pakufishme njerëzore, shpirtërore, për jetën, qytetërimin, lirinë, pavarësinë, integritetin e tyre, që dhanë jetën dhe u bënë fli për ideale të mëdha, për kombin e tyre, si një komb mes qytetërimeve të tjera të Evropës.

Ndaj sot, si atëherë, kur erdha në Shqipëri dhe i vizitova, ndiej se jam gjithmonë pranë altarëve të tyre të shenjtë.

Në të kaluarën, kemi bërë luftëra mes besimeve, duhet të pendohemi për to, por nuk është lufta, rruga në të cilën duhet të ecim… Rruga që duhet të përshkojmë, është ajo e dashurisë, e paqes, e dialogut, e mirëkuptimit midis feve, vendeve, popujve e shoqërisë së sotme njerëzore.

“Kombi juaj, – tha Ati i Shenjtë, – është një shembull i paçmuar për vlerat e bashkëjetesës vëllazërore, ndërmjet besimeve që ekzistojnë në Shqipëri. Si shembull dhe thesar i çmuar i kombit shqiptar që duhet të ushqehet, kultivohet e të çohet përpara me përkushtim e bindje”.

Me shumë përdëllim shpirtëror, Papa inkurajoi harmoninë vëllazërore, që e përcjellin Komunitetet Fetare të Shqipërisë. Kjo frymë duhet të përhapet dhe të jetë një dritë e pashuar gjithmonë. “Ne,- tha Ati i Shenjtë,- si Qendër Botërore e Krishterimit në Perëndim, së bashku me Qendrën Tuaj Botërore të Bektashizmit, duhet të jemi nën një flamur, në luftën e përbashkët për paqe dhe siguri në rajon. Në luftën kundër rrymave radikale, regresive që po çorientojnë shoqërinë e sotme njerëzore. Ne duhet të ecim në rrugën e paqes, dashurisë njerëzore, mes popujve, vendeve dhe kombeve. Roli i Qendrës dhe Juaji si lider i saj është një faktor i madh, i rëndësishëm, në këtë luftë për paqen sot.

Nuk gjej fjalë për të treguar dashurinë e pamat për ju, për pritjen që na rezervuat, për ngrohtësinë që na ofruat, për fjalët e përzemërta që përçuat, për lutjet tuaja që përshkuan thellë zemrat tona. Ju jemi mirënjohës për gjithë jetën për atë çka keni bërë për bijtë e kombit tonë, për Shenjtërimin e Nënë Terezës, për Lumturimin e 38 martirëve që u varën, u pushkatuan, me fjalët aq të shenjta për Zotin, ‘…Rroftë Kisha, rroftë Krishti Mbret…’, që u persekutuan në mënyrën me çnjerëzore nga regjimi i egër komunist. Ne dhe e gjithë bota duhet t’ju jemi mirënjohës Juve, Ati i Shenjtë, për mesazhin e madh që përcollët, për gjithë njerëzit e vuajtur, për emigrantët myslimane, nga Lindja e Mesme dhe vendet e tjera, që kërkuat që shtetet, jo vetëm t’i hapnin kufijtë për ta, por të hapnin edhe zemrat, dyert e shpirtit të tyre. Ne ju jemi mirënjohës juve, Ati i Shenjtë, për punën që po bëni, për të shmangur luftërat, në emër të Zotit dhe të fesë, për t’i afruar fetë me besimet mes tyre, si një familje e vetme njerëzore. Këto vlera, ne, si besime, si liderë, i manifestuam në pjesëmarrjen tonë në bulevardet e Parisit, pas atentateve terroriste të ngjarjes famëkeqe të ‘Charlie Hebdo’. Ne jemi bashkuar, të gjithë vëllezërit myslimanë, në Ballkan e më gjerë, në luftë kundër rrymave të ndryshme radikale terroriste”. “Ne, – tha Kryegjyshi Baba Mondi, me dashuri Atit të Shenjtë – do të jemi gjithmonë në krahun Tuaj, në krah të mesazheve Tuaja të mëdha të paqes. Ne ju shohim gjithmonë juve si flamurtarë të dashurisë për popujt dhe besimet e ndryshme. Ne, si Qendër Botërore, së bashku me ju si udhëheqës, do të jemi gjithmonë së bashku në luftë për të siguruar paqen dhe dashurinë në rajon e më gjerë”.

Nuk ishin thënë herë të tjera fjalë me aq dashuri. Aq vëllazërore. Aq të sinqerta. Aq të ngrohta. Aq shpirtërore. Dy liderë, një rrugë, një dashuri, dy vëllezër më Zotin.

Ky sipar ngrohtësie do të mbyllej me një skenografi, simbiozë e këtij devocioni dashurie, me një përqafim aq të përmallshëm, aq të përzemërt, si vëllai me vëllanë me Zotin.

GUXIM DHE BEKIM I MADH…

Nuk kish ndodhur ndonjëherë në këtë sallë një afinitet aq i dëlirte, aq i fortë, aq i zjarrtë, aq i thellë shpirtëror. Çdo gjë që ishte ligjësi, rregull, ishte kthyer nga zyrtarizmi i qenë në shekuj, në kohëra, në historinë e Papatit, në dashuri që do të shkruhej në rreshta, në histori, si konstitucion shpirtëror, i ligjësisë, i rregullit të ri të dashurisë që do të ngelej në analet e historisë së Krishterimit Botëror.

Nuk mund të prisja më dhe unë gjë tjetër, që ashtu si Papa, i cili theu vetë rregullat shekullore të Papatit, në sallën e Pritjeve të Paqes, të mos i thyeja ato, që, megjithëse isha i porositur të isha i bindur ndaj protokollit, ligjit të tij, t’i afrohesha Atit të Shenjtë me mikrofonin tim për t’i marrë mesazhin e Tij të madh të paqes, Bekimin e Shenjtë, për popullim tim shqiptar.

Në këto çaste të paparishikuara, të papërjetuara, iu afrova Atit të Shenjtë me mikrofon dhe i kërkova një bekim për popullin tim shqiptar. Dhe Ati i Shenjtë, me atë dashuri që përcjell vizioni i tij i Hyut dhe i Zëvendësit të Pjetrit të Madh të kishës, përcolli atë bekim të madh edhe një herë për popullin tonë, që Shqipëria të ecëi përpara, që kombi shqiptar gjithnjë e më shumë ta shohë veten nga e ardhmja më e mirë, që paqja dhe dashuria të mbizotërojnë mes tyre, si shqiponja në flamurin e kombit tonë, duke më falënderuar mua: “Grazia Grazia”, si gazetar, që i isha afruar me mikrofon dhe i kisha marrë pa leje të protokollit mesazhin.

Kisha marrë me vete gjënë më të shenjtë për vendin tim, për kombin tim, bekimin e Atit të Shenjtë! Kjo mua më lumturoi dhe do ta kujtoj gjithë jetën time, në zemrën time.

Ky takim historik, ky përjetim i rrallë dashurie, mes dy liderëve botërorë të besimeve, të dy Qendrave Botërore, si rrallë ndonjëherë, nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e Radio Televizionit Shqiptar, Radio Televizionit Shtetëror të Kosovës, RTK1, ekraneve të tjerë, të cilat filluan menjëherë të informojnë kombin dhe gjithë botën, për këtë takim paqe, dashurie.

Radio Vatikani, drejtori i saj, Don David Xhuxhës, e përcolli menjëherë në të gjithë gjuhët e botës si kryelajmin e parë të ditës, duke intervistuar menjëherë Kryegjyshin Botëror për këtë takim historik midis dy liderëve botërorë, Atit të Shenjtë, Papa Françeskut dhe Kryegjyshit, Baba Mondit, si vizion i madh paqe për kohën, shoqërinë e sotme njerëzore.

Nuk kishin të sosur njerëzit, bashkudhëtarët tanë të parët që jetojnë në Itali, që e kishin marrë vesh lajmin, i cili ishte përhapur në të gjithë Dhenë dhe në mbarë Shqipërinë