Pak orë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD të thirrur nga Komisioni i Rithemelimit, kryesia e grupit parlamentar të PD është mbledhur në selinë blu.
Lajmi është bërë me dije nga zëdhënësja Orjola Pampuri me anë të një njoftimi në rrjetet sociale. Pampuri shprehet se me shumicë votash është vendosur që kryesia e grupit të mblidhet rregullisht çdo javë, të premten në orën 09:15.
Ajo thekson se gjithashtu është vendosur që mbledhja e kryesisë jashtë radhës të mbahet ditën e hënë.
Njoftimi i Orjola Pampurit:
Në vijim të kërkesës së bërë ditën e djeshme dhe njoftimeve të bëra nga sekretari i Grupit, sot, më 6 maj 2022, ora 09:15, në mbështetje të nenit 16 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë dhe neneve 5 dhe 6 të Rregullores së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në ambientet e Zyrës së Grupit pranë Kryesisë së Kuvendit, u mblodh Kryesia e Grupit Parlamentar të PD-së, e cila pasi diskutoi cështje të axhendës parlamentare, me shumicë votash, vendosi:
Kryesia e Grupit të PD-së do të mblidhet rregullisht cdo javë, ditën e premte, ora 09:15.
Mbledhja e Kryesisë do të zhvillohet jashtë rradhës ditën e hënë, datë 9 maj 2022, ora 09:15.