Parlamenti Europian i kërkon Këshillit të hapë negociatat për anëtarësimin në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Parlamenti Europian miratoi këtë të enjte dy raporte të cilat vlerësojnë progresin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Edhe pse të dyja vendet kanë përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian dhe kanë dhënë rezultate të qëndrueshme, Këshilli nuk ka arritur të hapë negociatat e anëtarësimit me ta, thonë eurodeputetët. Kjo sipas tyre, ka dëmtuar reputacionin e BE-së në sytë e publikut dhe është një rrezik serioz për politikën e zgjerimit në tërësi.

Eurodeputetët inkurajojnë gjithashtu Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut që të zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre kulturore-historike veçmas nga procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut.

“Shqipëria është një partner strategjik i besueshëm dhe i përkushtuar”.

Eurodeputetët vlerësojnë orientimin strategjik dhe angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian dhe shprehin mbështetjen e tyre të qartë për transformimin demokratik të vendit dhe aspiratën për anëtarësim në BE.

Ata i bëjnë thirrje Shqipërisë të vazhdojë dhe të intensifikojë përpjekjet e saj për të rritur efikasitetin e gjyqësorit, për të forcuar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë.

Raportuesja e PE për Shqipërinë Isabel Santos tha: “Shqipëria mbetet një partner strategjik plotësisht i besueshëm dhe i përkushtuar. Ajo vazhdon të ecë përpara me reformat themelore në lidhje me BE-në dhe po përmbush kushtet për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Është e drejtë që Këshilli më në fund të hapë negociatat e vonuara me Shqipërinë”.

Raporti për Shqipërinë u miratua me 519 vota pro, 52 kundër dhe 28 abstenime. https://www.europarl.europa.eu/news/en/press-room/20220517IPR29936/albania-and-north-macedonia-meps-demand-eu-starts-accession-talks