Nga Kurt Volker “Center for European Policy Analysis”

Ditë dhe javë të gjata, të vështira dhe vdekjeprurëse e presin Ukrainën, që po përjeton dhe po tenton të sprapsë sulmet e vazhdueshme të Rusisë në territorin e saj. Paketa e ndihmës shtesë për Ukrainën prej 20.4 miliardë dollarësh në fushën e sigurisë, e propozuar nga presidenti amerikan Joe Biden – e koordinuar me aleatët drejtpërdrejt nga Sekretari i Mbrojtjes Austin – është shumë e nevojshme.

Është shumë herët për të festuar një fitore të Ukrainës, pasi puna më e vështirë është ende përpara. Megjithatë, ne mund ta deklarojmë tashmë me besim se Ukraina do të fitojë – gjë që do të thotë se do mbijetojë si një shtet evropian sovran, i pavarur dhe duke u forcuar vazhdimisht – ndërsa Rusia do të detyrohet t’i japë fund agresionit të saj.

Kremlini nuk mund ta shkatërrojë të gjithë Ukrainën dhe popullin e saj, dhe ukrainasit do të vazhdojnë të luftojnë. Forcat ruse janë bllokuar në Ukrainën Lindore, pa asnjë perspektivë për të kërcënuar sërish Kievin. As Vladimir Putin nuk mund t’i rezistojë pafundësisht presionit të kombinuar të një operacioni ushtarak të dështuar në Ukrainë dhe një ekonomie ruse në krizë të plotë, të shkaktuar nga sanksionet e shumta dhe izolimi në rritje i Rusisë nga ekonomia globale.

Me këto pika bazë orientuese në mendje, ne mund të fillojmë të shohim ndryshimet tektonike që do të ndodhin si rezultat i luftës së pakuptimtë të Putinit. Së pari, për sa kohë që Putini mbetet në pushtet dhe forcat ruse mbeten në Ukrainë, Rusia do të cilësohet si një shtet agresor në arenën ndërkombëtare.

Sanksionet nuk do të hiqen. Evropa do të ndalë blerjen e naftës dhe gazit rus (megjithëse jo aq shpejt). Kompanitë e mëdha perëndimore do të vazhdojnë të largohen nga Rusia dhe nuk do të rikthehen më. Do të reduktohet në maksimum qasja e Rusisë ndaj teknologjive kryesore dhe në disa nga importet kyçe. Po ashtu Moska nuk do të pranohet si bashkëbiseduese në samitet ndërkombëtare. Udhëheqësit e saj ushtarakë dhe civilë do të përballen me akuza për krime lufte në gjykatat ndërkombëtare.

Gënjeshtrat dhe brutaliteti i Rusisë në zhvillimin e kësaj lufte të paprovokuar, kanë zbehur çdo vullnet apo besim midis shteteve demokratike për të bërë biznes me Rusinë. Ekonomia e saj do të tkurret me të paktën 10 për qind këtë vit, dhe ndoshta edhe më shumë në vitin 2023, pasi të ardhurat e saj nga nafta dhe gazi po bien ndjeshëm. Rusia do të jetë një shtet autoritar me një ekonomi të dobët, e izoluar dhe me shumë me pak mundësi zhvillimi.

Së dyti, Ukraina do të shihet më në fund si një shtet evropian legjitim dhe i denjë. Aspiratat e saj nuk do të hidhen më poshtë për shkak se është një vend “post-sovjetike”, apo se vuan nga “korrupsioni endemik” dhe “mungesa e reformave”. Qëndrueshmëria dhe vendosmëria e popullit ukrainas, trimëria e ushtarëve, zgjuarsia e udhëheqësve të tij dhe forca e identitetit si një demokraci evropiane, kanë sjellë një ndryshim të përgjithshëm të perceptimeve në Evropë dhe Amerikë. Tani të gjithë e kuptojnë se Ukraina është një nga ne.

Së treti, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët do të nisin pas luftës zbatimin në Ukrainë të një programi të madh të rindërtimit. Këto fonde do ta rikthejnë Ukrainën jo vetëm aty ku ishte më parë, por do të ndërtojnë një Ukrainë më të mirë.

Ajo do të ketë infrastrukturë më të mirë të ngjashme me atë perëndimore, një dixhitalizim më të madh, integrim më të madh energjitik, bujqësor dhe të logjistikës së saj me Perëndimin, si dhe ligje dhe rregullore të reja që do të hartohen gjatë procesit të rindërtimit për ta harmonizuar ekonominë e Ukrainës me atë të BE-së. Natyrisht që për këtë do të duhen vite, por jo aq shumë sa 30 vitet që kanë kaluar që kur Ukraina e rifitoi pavarësinë e saj.

Së katërti, ndryshimi i qëndrimeve dhe ndryshimi real në ekonominë e Ukrainës do ta pozicionojë Ukrainën në trajektoren drejt anëtarësimit në BE. Këshilli i BE-së i ka kërkuar Komisionit Evropian mendimin për dhënien e statusit të kandidatit për Kievin, këshillë që ka të ngjarë të kthehet në një vendim faktik brenda një kohe të shkurtër.

Më parë, shtetet e Evropës Perëndimore e kishin përjashtuar anëtarësimin e Ukrainës në BE. Tani po flasin për këtë gjë si një mundësi reale. Evropianët do ta kuptojnë shumë shpejt se një Ukrainë e rindërtuar do të jetë një pasuri për BE-në dhe jo një barrë.

Ukraina do t’i ofrojë Evropës furnizime me energji (tradicionale dhe të rinovueshme), me produkte bujqësore, burime minerale, fuqi punëtore të kualifikuar, industri mbështetëse etj. Ajo mund ta ndihmojë BE-në që të arrijë objektivat e veta në eliminimin e importeve të naftës dhe gazit rus, dhe në rritjen e përqindjes së energjisë së rinovueshme.

Së pesti, agresioni rus e ka rigjallëruar NATO-n. Tani të gjithë e shohin se lufta në Evropë është realisht e mundshme. Prandaj nuk mund të anashkalohen më përgatitjet për mbrojtje. Gjermania e shkeli traditën e saj disadekadëshe për të ndihmuar në armatimin e Ukrainës, dhe është zotuar të shtojë shpenzimet e mbrojtjes me 100 miliardë euro.

Finlanda dhe Suedia – kjo e fundit duke thyer neutralitetin e saj 200 vjeçar – do t’i bashkohen së shpejti aleancës perëndimore. Argumentet e përdorura në të kaluarën për të bllokuar hyrjen e Ukrainës në NATO – si për shembull mos-provokimi i Rusisë – tingëllojnë të zbrazëta pasi Rusia e ka sulmuar tashmë dy herë Ukrainën në mënyrë të paprovokuar.

Në vazhdën e një Rusie të dobësuar dhe një Ukraine më të fortë, të rindërtuar dhe të aftë ushtarakisht, nuk ka më asnjë justifikim që ta detyrojmë atë (por edhe Gjeorgjinë dhe Moldavinë) që të jetojnë në “zona gri” të pasigurta.

Së gjashti, dhe e fundmi, mund të marrë fund periudha e gjatë e shpërqendrimit në udhëheqjen globale të SHBA-së. Dhe siç ka thënë dikur Winston Churchill, “Mund të besosh gjithnjë se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë gjënë e duhur, por pasi të kenë ezauruar të gjitha mundësitë e tjera”.

Administrata Biden në fillim ishte shumë e ngadaltë dhe i mungonte vizioni për t’iu kundërpërgjigjur agresionit të Rusisë. Por javët e fundit, ajo është ngritur në lartësinë e sfidës, duke ofruar një udhëheqje shumë më të fortë të komunitetin transatlantik. Për më tepër, të dyja kampet në Kongres dhe Senat e kanë shtyrë administratën të bëjë më shumë dhe të reagojë më shpejt për ta ndihmuar Ukrainën (si Akti i ri i Huadhënies).

Dhe kjo qasje nuk ka gjasa të ndryshojë së shpejti, gjë që do të thotë se konsensusi i ripërtërirë dypartiak mbi udhëheqjen amerikane globale do të zgjasë edhe në të ardhmen. Presidenti rus Putin e nisi këtë luftë me synim eliminimin e një Ukrainë të pavarur, si dhe për të rindërtuar Perandorinë Ruse.

Por rezultati, do të jetë një Rusi më e dobët, një Ukrainë më e fortë dhe më plotësisht evropiane, si dhe një komunitet transatlantik i ringjallur, i vendosur të përballet me kërcënimet e ardhshme edhe pasi të zbehen kërcënimet aktuale. Ndërsa të gjitha këto tendenca janë të qarta, ato nuk janë të paracaktuara.

Udhëheqësit perëndimorë dhe sidomos administrata amerikane duhet t’i kuptojnë qartë dhe të vazhdojnë t’i përforcojnë ato. Është shumë herët për të pretenduar fitoren, por rruga drejt një Perëndimi më të mirë dhe më të sigurt, me një siguri të përforcuar dhe me një zhvillim më të madh që gjithashtu ndihmon edhe Ukrainën, mund të shihet tashmë shumë qartë.

Shënim:Kurt Volker, një nga ekspertët kryesorë mbi politikën e sigurisë së jashtme dhe kombëtare të SHBA-së. Ka shërbyer si Përfaqësues Special i SHBA-së në negociatat për paqe Rusi-Ukrainë në vitet 2017-2019, dhe si ambasador i SHBA-së në NATO në vitet 2008-2009. abcnews.al/