Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetarja e Bashkisë, Majlinda Bufi dhe deputetët Antoneta Dhima e Baftjar Zeqo panë nga afër punën që po kryhet nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit për pastrimin e Kolektorit Roskovec-Hoxhare në Roskovec. Në fjalën e tij Balla tha se me pastrimin e këtij kolektori, i cili është një nga objektet më të mëdha qe ka rrjeti ynë i kullimit, do të përmirësohet një sipërfaqe shumë e madhe kullimi për zonat e Marinzës, Jagodinës, Suk etj.
“Jemi këtu për të ndjekur nga afër një punë që kishte kohë që pritej të bëhej dhe është një prej atyre punëve që na bëjnë shumë krenar. Falenderoj ministren e Bujqësisë, Frida Krifca për planifikimin në kohë për pastrimin e këtij kanali, një nga objektet më të madh kullues që ka Shqipëria. 5 km pastrim i këtij kanali është një punë kolosale që po bëhet. Jemi në kushtet e një shtrenjtimi shumë të madh të naftës, nëse nafta do të kishte qenë më e lirë do të kishim punuar në më shumë kilometra. Dua tju garantoj që po punohet jo vetëm këtu, por dhe në disa zona të tjera të qarkut të Fierit. Ne duam që kjo kohë e përshtatshme për të bërë këtë lloj pune ta shfrytëzojmë maksimalisht. Ne nuk do të lëmë asnjë metër katror tokë që të rrezikohet nga ujrat, këto kanale janë shpresa e vetme të çlirojë tokat nga çdo lloj përmbytje”, deklaroi Balla.