Deputeti i PD Agron Gjekmarkaj deklaron se Partia Demokratike ka nevojë të braktisë hallet e mëdha të Sali Berishës dhe lojërat e vogla të atyre që kënaqen dhe me gjëra të vogla për vete.

Në një postim në “Facebook”, Gjekmarkaj shkruan se mungesa e 35 deputetëve të PD në Kuvendin e datës 30 prill nuk duhet të merret si syshkelje për askënd për të formuar më vonë një parti të vulës si opozita e Azerbajxhanit që i ka zyrat në pallatin e Parlamentit.

“Kolegët e mi nëse bashkë me mua nuk duan të përfundojnë si opozita e simpatikut babaxhan e konservator Kujtim Gjuzi duhet të punojnë për bashkimin e vërtetë duke mos u lodhur as duke mos u kompleksuar për ta kërkuar zgjidhjen jo tek dy partitë që po përvijohen në horizont, por tek një PD e vetme”, thekson Gjekmarkaj.

Sipas tij, nëse tejkalojmë ato nevoja e interesa PD ringrihet!

POSTIMI I PLOTË

Një sqarim i nevojshëm për demokratët.

Siç u pa në mënyrë spontane 35 deputet të PD-së gjykuan e vendosën të mos marrin pjesë në Kuvendin e datës 30 Prill të mbajtur nga Sali Berisha dhe ndjekësit e tij të Foltores! Kjo lidhet me vetëdijen e gjithsecilit me vokacionin e tyre properëndimor e pro amerikan (me këtë nuk dua të akuzoj si antiperëndimor kolegët që morën pjesë)! Ata mendoj unë (megjithëse unë kam tagër vetëm për vete) nuk munguan nga inati ndaj Sali Berishës as nga dashuria për Lulzim Bashën, por nga disa parime të indinjuar me mënyrën se si Berisha po e menaxhon betejën për “dinjitetin” pas shpalljes “non gratta” nga SHBA dhe procesin e “rithemelimit” kaq të dhunshëm e të njëanshëm. Në këtë proces flitet për një tren që bën ty ty ty çiaf çiuf ty ty e dyer të hapura që ecën shpejt duke lënë në stacion të gjithë ata që nuk ju bashkëngjiten “foltores”!

Po kjo mungesë nuk duhet të merret si syshkelje për askënd për të formuar më vonë një parti të vulës si opozita e Azerbajxhanit që i ka zyrat në pallatin e Parlamentit. Unë me modesti pa pretenduar shumë se shoh veten në të tilla vizione. PD ka nevojë të braktisë hallet e mëdha të Sali Berishës dhe lojërat e vogla të atyre që kënaqen dhe me gjëra të vogla për vete.

I vetmi institucion legjitim sot i PD është grupi i saj parlamentar dhe Kryetari i këtij grupi Enkeled Alibeaj (i cili ne rast vendimi pozitiv të Gjykatës së Apelit edhe Kryetar i komanduar i PD) person me integritet dhe i panjollë i cili fuqinë dhe direktivat duhet ti marrë nga grupi parlamentar dhe jo nga individ të caktuar brenda tij. Nuk ka triumvirat sot në PD as duet e as Kryetar hije ka vetëm një grup parlamentar si institucion i dëmtuar, por i pashkatërruar nga kriza e këtyre muajve. E kotë, e dëmshme dhe qesharake të besojmë se dikush sot në atë grup mund të bëje politike personale duke shitur si imazh kompaktësine e grupit apo duke sajuar ziafete me pulastrena për ta përfshirë atë!

Kur jam dorëhequr me 7 Mars si Nënkryetar i PD kam besuar që PD mund të rikthehet përsëri në një aset të madh kombëtar, me vullnet e sakrificë ajo mund të bashkohet! Sot jemi shumë larg bashkimit. Po triumfon interesi individual mbi nevojat e demokratëve. Nuk e kam bërë këtë për t’u bërë pjesë e një partize e as e një fraksioni. E vërtetë Sali Berisha ka më shumë mbështetje te militantët e PD po ka shumë pak dhe një mal me halle mbi shpinë që zor t’i mbajë plus 32 vite pothuaj pushtet. Retorika e tij u përgënjeshtrua nga aktet, ai nuk mbajti asnjë premtim.

“Rithemelimi” i tij është shpesh vulgar e banal me të gjithë kalorësit e konsumimit politik e etik që mblodhi rreth vetes duke lenë mënjanë për një çast familjarizmin e krahinarizmin tribal. Por as Lulzim Basha me gjithë respektin që meriton për dorëheqjen e tij apo tentativat e mekura për rinovim të PD pasi mori një parti të madhe dhe e bëri të vogël, pasi humbi disa zgjedhje s’ka më kuptim t’u kërkojë demokratëve të investohen për karrierën e tij. Nëse bën syshkelje të tilla por shpresoj të jenë thashetheme i bie që ambicia s’e le të lexoje asgjë nga dialektika politike e sociale. Shqipërisë nuk i kanë vdekë njerëzit, as së djathtës. PD duke mbajtur sytë tek Sali Berisha dhe ndoca duke kthyer kokën te Lulzim Basha po vetë shkatërrohet.

Ajo ringrihet dhe bashkohet nëse zgjidhja kërkohet përtej tyre dhe tek bonsensi i tyre (Basha një hap pas të fortë e bëri me shpresën që nuk na kërkon të bëjë dy përpara) tek gara e vërtetë dhe tek rithemelimi i vërtetë jo tek paçavurja personale e doktorit. Grupi i PD, ata 35 shumica prej tyre së paku me sa kam biseduar nuk shkuan në Kuvendin e datës 30 jo se po i mbajnë hatrin Bashës apo se ndihen të lidhur me të për ndonjë projekt, por për parimet e tyre. Këtë duhet ta dinë demokratët dhe shoqëria. Kolegët e mi duhet të përgatiten pas kulaçit Sali Berisha iu ofron kërbaçin. Një nga një do t’i quajë vegla të Edi Ramës, vartës të Taulant Ballës etj etj dhe ditë pas dite do iu heqë disa nga mbështetësit dhe votuesit dhe po i pati në dorë i fshin me cinizëm të ftohtë.

Kolegët e mi nëse bashkë me mua nuk duan të përfundojnë si opozita e simpatikut babaxhan e konservator Kujtim Gjuzi duhet të punojnë për bashkimin e vërtetë duke mos u lodhur as duke mos u kompleksuar për ta kërkuar zgjidhjen jo tek dy partitë që po përvijohen në horizont, por tek një PD e vetme. Mundësi dhe shpresë ka ende. Një më e madhe, tjetra boll e vogël e të dyja bashkë pak shumë pak për të mundur socialistet u shërbejnë për disa nevoja ca individëve e asgjë tjetër. Nëse tejkalojmë ato nevoja e interesa PD ringrihet! E sigurt është se kështu po vritet fryma e opozitarizmit! Do të jem në parlament me këtë vetëdije në mos ia dalshim të bëjmë bashkimin të paktën t’ju them shqiptarëve kush po e pengon duke ndihmuar edhe botën e analizës me këqyrjen nga brenda të politikës.

Agron Gjekmarkaj