Deputeti demokrat, Dashnor Sula, reagon pas lajmit se Partia Demokratike nuk do të ketë delegatë në Kongresin e PPE.
Në një postim në “Facebook”, deputeti Sula thekson se ky është një lajm i keq, ndërsa thekson se këto zhvillime e vendosin PD-në në një pozitë aspak të favorshme me partnerët.
Sipas deputetit Sula, “Nevoja për zgjidhjen e krizës është urgjente dhe ulëritëse!”, duke shtuar se “Ditën kur drejtësia do të flas secili duhet të marrë përgjegjësinë e përfaqësimit dhe të bashkohet me pjesën tjetër! PD s’mund të pranojë si normalitet të sajin iziolimin”.
Njoftimi i plotë:
Forca që nxorri Shqipërinë nga diktatura nuk mund të pranojë si normalitet izolimin!
Si demokrat dhe qytetar i angazhuar në proceset demokratike në vend jam krenar që kam qenë pjesë e PD që në ditët e para të saj kur ra përfundimisht perdja e errët e izolimit dhe Shqiptarët rivendosën marrëdhëniet me perëndimin!
Sot jam i trishtuar teksa konstatoj që në mënyrë të vazhdueshme familja ime politike aneksohet në rastin më të mirë dhe injorohet në të tjera raste për tu takuar me partnerët apo për të qenë pjesë e forumeve në organizatat partnere.
Nga media jam njohur me faktin se në Kongresin e PPE, Partia Demokratike nuk do të ketë delegatë me ftesë të posaçme nga PPE por në këtë kongres do të marrin pjesë me ftesa vetëm disa kolegë në funksion të angazhimit të tyre në të tjera organizata. Ky është një lajm i keq.
Këto zhvillime na vendosin në një pozitë aspak të favorshme me partnerët pa të cilët nuk mund t’ia dalim në aspiratat tona për t’i dhënë një rrugëtim dhe alternativë të re vendit. Nevoja për zgjidhjen e krizës është urgjente dhe ulëritëse! E kam shprehur vazhdimisht çastin që duhet t’i bëjë palët bashkë! Ditën kur drejtësia do të flas secili duhet të marrë përgjegjësinë e përfaqësimit dhe të bashkohet me pjesën tjetër! PD s’mund të pranojë si normalitet të sajin iziolimin!