Nga Mero Baze
Problemi më i madh që ka kriza e sotme e Partisë Demokratike është se po përpiqet ta shesë si krizë të demokracisë brenda saj, përçarjen e saj të madhe. Në fakt është e kundërta.

Partia Demokratike nuk ka ardhur ende tek momenti i krizës së demokracisë brenda saj, pasi ai do të ishte një debat real. Partia Demokratike i ngjan sot një familje që është shkatërruar prej testamentit të shkruar para kohe prej “Babës” së shtëpisë. Duke qenë se testamenti u hap në vitin 2013, kriza shpërtheu dhe shumica e zemërimit kishte të bënte me testamentin e “Babës”.

Një vit më parë, kur “Baba” u ndëshkua dhe e pa që pasurinë po ja merrnin të tjerët u rikthye dhe tani është bërë aleat me të pakënaqurit nga testamenti i parë me shpresë se do jenë përfitues nga testamenti i dytë pas vdekjes, dhe janë angazhuar në lëvizjen “Duam Babën”.
Kaq e thjeshtë është.

Nëse shikon takimet qesharake të Sali Berishës nëpër rrethe që bën sikur ka ndonjë garë apo ndonjë rival për të mundur, e kupton se PD ende nuk ka hyrë në betejë për të prodhuar krizë prej mungesës së demokracisë në parti. Do fuqi të madhe ajo krizë për tu provokuar. Demokracia nuk është një pemë që mbin në çdo oborr. Ajo do të jetë fazë finale e krizës së PD, ose kapaku i arkivolit të saj.

Ajo që po ndodh në PD, është se Saliu po shkëput një copë dhe po riprodhon PD e tij të vjetër, pa rregulla, pa vota, pa kundërshtarë, pa zëra kritikë, dhe pa sistem vlerash. Me një tufë të dalldisur njerëzish që kanë tërë jetën pas tij dhe rrojnë vetëm për këtë shkak, ai përsërit për tridhjetë e dy vjet veten e tij, duke u zvogëluar gjithnjë e më shumë.

Nëse kjo do të ishte krizë e demokracisë së PD, sot beteja kundër Berishës, do ishte betejë votash dhe konkurrimi. Por Berisha e ka zhvendosur PD nga ai truall dhe nuk e lë të jetojë aty. Ai ka marrë një copë të PD me vete dhe argëtohet me të, si të jetë një ari cirku i lidhur me tel tek hunda. Duke qenë krizë mes fëmijësh të pakënaqur nga një testament i shkruar para kohe, kriza brenda PD është ende në fazën e saj primitive. Aq primitive është sa “Baba” konkurron pa rivalë dhe debati i vetëm dhe kritikët e vetëm ndaj tij nëpër takime, janë ata që i thonë, “po si doje t’ia lije partinë “Atij” mo Doktor dhe jo neve” dhe ky që u betohet që herën tjetër do tua lërë këtyre.

Kjo është e gjitha ajo që po ndodh. Edhe një kundërshtar modest që ka dalë, pa pretendime për të fituar, nuk i shkon asnjë gazetar as në konferencën e prezantimit si kandidat, për të na treguar të gjithëve se nuk është pjesë e testamentit.

Ndaj mos prisni që kjo shakaja e Berishës që bën takime, sikur është kandidat dhe pastaj sikur mbledh forume, sikur është kryetar, të zgjidhë problemin e opozitës. Kjo qetëson vetëm ata pjesëtarë të familjes që ishin të pakënaqur nga testamenti i parë. Si më budallenj që janë, këta pranojnë të gënjehen disa herë, mjafton që dikush t’i përfillë për t’i gënjyer.

Për ironi të fatit, ringritja e PD do të fillojë atëherë kur debati brenda saj, të bazohet realisht mbi rregullat e lojës dhe jo mbi hilet e testamentit të “Babës”. Deri atëherë gjithë zemërimi dhe adhurimi do sillet rreth Babës, si varrmihës i PD dhe testamentit të tij.