Socialistët kanë startuar procesin e zgjedhjeve në organizata edhe në qarkun e Korçës. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në Asamblenë e PS-së së Pogradecit, nga ku konfirmoi se kjo është edhe një përgatitje për zgjedhjet vendore.

Në përgjigjet të interesimit të medias, z.Peleshi vlerësoi se pikërisht vetëreformimi është ajo që e dallon Partinë Socialiste nga partitë e tjera politike.

“Po, po përgatitemi për zgjedhjet lokale. Në këtë moment duhet thënë se nuk është kaq e lehtë të ndërmarrim procese reformuese të brendëshme, pasi jemi në mungesë presioni që do të thotë opozita. Për sa kohë që nuk kemi një opozitë të fortë, duket sikur e them për hir të demokracisë, por nuk është kështu. Në fakt edhe në diskutimet tona të brendëshme një nga shqetësimet që ne ndajmë është mungesa e presionit të opozitës. Kështu që jemi duke insistuar për një proces në të gjithë Shqipërinë. Unë këto ditë jam në çdo bashki të qarkut, në takime me organizatat tona të partisë për t’i dhënë një energji të re organizatës dhe për t’ju thënë se ne nuk na duhet të reformohemi vetëm kur e kemi detyrim, por na duhet të pasurohemi me energji të reja dhe t’i rishikojmë vazhdimisht proceset tona të zgjedhjes apo përzgjedhjes së drejtuesve“, u shpreh ministri Peleshi.

Sipas tij, mandati i tretë është një sfidë e vështirë dhe PS është rast unik në 30 vite demokraci. “Jemi në mandatin e tretë. Është një tokë e pashkelur për ndonjë parti politike shqiptare, pasi në 30 vite demokraci është i vetmi rast kur një parti politike qeveris për 3 mandate, jemi pa koalicion dhe jemi me një opozitë shumë të dobët. Kështu që këto janë sfida nuk kanë vetëm aspektet pozitive”, theksoi ministri.

Risi në këtë proces zgjedhor është fakti se gara është e hapur për të gjithë ata anëtarë që do të vetëpropozohen, duke paraqitur edhe platformën e tyre, deri më datë 25 maj.