Nga Mero Baze
Ka një përpjekje titanike të Sali Berishës, për të krijuar një moment politik, ku atij t’i dëgjohet fjala. Nuk ka rëndësi për çfarë iniciative, propozimi apo debati në vend. Rëndësi ka që dikush, për çfarëdo gjëje, t’i japë shansin dhe ta konsiderojë atë institucion, duke marrë parasysh propozimin e tij.
Ky makth i ka nisur nga refuzimi i prerë i SHBA për të mos e konsideruar më jo vetëm si kandidat për kryetar të PD, por as si qytetar të zakonshëm të Shqipërisë.
Po mbushet një vit që ai është në betejë me këtë makth. Për t’iu mbushur mendjen të vetëve, se do ta korrigjojë këtë përjashtim të tij, u mbushi mendjen në daljen e tij më 22 maj të vitit të kaluar, se ka paditur sekretarin Anthony Blinken në një gjykatë në Francë dhe ajo do vendosi drejtësinë. Pastaj muaj pas muaji përpiqej t’i mbante gjallë me gënjeshtrën e vet dhe simpatizantët e tij ndiqnin rrugën postare të letrës imagjinare të Sali Berishës, se kur do mbërrinte në Francë, kur do niste gjyqi dhe si do shpallej Doktori i pafajshëm.
U mbush viti dhe letra nuk ka shkuar asgjëkund dhe natyrisht që s’ka shpresa se do hapet ndonjë gjyq.
Pastaj shpiku luftën kundër Lulzim Bashës, duke e konsideruar ndëshkimin amerikan një komplot të Lulzim Bashës. Në një betejë shkatërrimtare për Partinë Demokratike, ai ngriti në këmbë gjithë pjesën primitive të Partisë Demokratike, duke u mbushur atyre mendjen se kjo është një besëprerje nga Lulzim Basha në SHBA.
Pasi beteja mbaroi, problemi i tij i madh ishte se SHBA përsëriste si një pikë uji torturuese për të burgosurin në qeli, fjalinë “nuk kemi punë me Sali Berishën, as me partinë e tij”.
Pastaj bashkë me Ilir Metën vendosën të bëjnë një provokim të ri, duke sajuar zgjedhje në gjashtë bashkitë që kishin dy vjet pa kryetar, me qëllim që të provonin se të dy bashkë ishin më të fortë se Lulzim Basha. E fituan dhe këtë sfidë dhe pastaj mallkimi nga SHBA u përsërit: “Nuk kemi punë me Sali Berishën dhe partinë e tij.”
Pas kësaj shpiku një Kuvend tjetër partie, që do zgjidhte forume dhe kryetar të ri. 35 deputetë të Partisë Demokratike refuzuan legjitimitetin e tij dhe ai mbeti me pjesën primitive të PD, që në fakt nuk di ç’të bëjë më pa Sali Berishën.
Një natë më parë ambasadorja Yuri Kim ja përsëriti se SHBA do të ndjejë keqardhje nëse ndonjë parti e opozitës do të ketë kryetar Sali Berishën, pasi thjesht nuk do ketë marrëdhënie me të.
Kjo e ka destabilizuar përsëri dhe sot ka shpikur se do t’i dërgojë ankesë presidentit Biden, pasi atë me siguri, sipas Berishës, “e gënjen” Departamenti i Shtetit.
Kjo skemë torturuese e SHBA ndaj tij, është adoptuar dhe nga qeveria shqiptare. Edi Rama prej disa muajsh, kur po tenton rikthimin në politikë, ka shpallur se nuk e konsideron as si faktor politik dhe as si deputet Sali Berishën. Beteja e Berishës për ta shmangur këtë qëndrim të Edi Ramës ka qenë serioze.
Në fillim tha se Edi Rama ka interes të më ketë mua partner dhe jo Lulzim Bashën, me shpresë se po i shkelte syrin. Qëndrimi konstant i Edi Ramës duke e konsideruar “të vdekur dhe të pakallur’, e ka nervozuar së tepërmi, sidomos pas thirrjeve për SPAK që ta hetojë atë si një të ndëshkuar nga SHBA për korrupsion madhor, bashkë me familjarët.
Kjo po e shtyn të ndërmarrë iniciativa në fushën ndërkombëtare, me shpresë se do të vërë në pozita të vështira Shqipërinë, me vendet e tjera.
Një e tillë ishte dhe “iniciativa” për Rezolutën e ndëshkimit të gjenocidit të Srebrenicës nga serbët, një ditë pasi Shqipëria e kishte ngritur këtë çështje në Këshillin e Sigurimit dhe kishte dënuar qëndrimin e të ngjashmit të Sali Berishës, nën sanksionet amerikane, Milorad Dodik.
Shumica parlamentare refuzoi Sali Berishën, jo ndëshkimin e gjenocidit. Edhe pse Berisha nuk e ka bërë atë kur ka qenë dy herë në pushtet, kjo shumicë mund të gjejë momentin serioz për ta bërë atë, në përvjetorin e masakrës së Srebrenicës më korrik, dhe jo në përvjetorin e “masakrës” së SHBA ndaj Berishës në maj, kur Berisha ka makthet e veta.
Sot ka gjetur një arsye tjetër të bëjë rezolutë. Qenka shqetësuar nga Edi Rama në Bruksel, që ka thënë se nëse nuk marrim negociatat për shkak të vetos bullgare, duhet të ndryshojmë kurs e të ndahemi nga Maqedonia në këtë proces.
Gjysmë ore më pas, i njëjti grup qesharak deputetësh që u kujtuan për Srebrenicën, tani po vajtojnë për Maqedoninë dhe duan të ndëshkojnë kursin anti-perëndimor të Shqipërisë.
Shpresa është që do dalë dikush në rajon, që të thotë “ka të drejtë Sali Berisha”. Asnjë nga Bosnja nuk i tha faleminderit. Shpreson t’i dalë dikush nga Maqedonia, po shokun e vet në Maqedoni e ka në arrati, të dënuar si hajdut.
I vetmi shok i lirë i tij që vajtoi për të gjendet në Shqipëri, dhe është Ilir Meta. Po bëhet gati të sajojë diçka që lidhet me Malin e Zi, me shpresë që dhe aty të ketë mundësi të “vërë në pozitë të vështirë Shqipërinë”, siç thonë këta opinionistët e tij.
Në fund, e gjithë kjo përfundon aty ku e ka të sigurtë një aleat. Shpresat janë tek Albin Kurti. Së shpejti ai do të sjellë në Parlament një rezolutë për ndëshkimin e gjenocidit serb në Kosovë, mbështetur dhe prej Kurtit dhe Osmanit, dhe natyrisht që shumica do t’ia refuzojë serish. Ai mund të jetë momenti më i lumtur i jetës së tij.
Ka kaq kohë që po e përgatit atë moment, qyshkur se i shkruajti fjalimin Vjosa Osmanit kur e thirri Ilir Meta në Tiranë.
E gjithë kjo është një betejë për rehabilitimin e Sali Berishës përmes Shqipërisë. Nuk ka shans të ndodhë kurrë. Të gjithë të kompleksuarit naiv që mendojnë se dëmtohet Shqipëria duke refuzuar “gjërat e mira” të Sali Berishës, janë thjesht ushtarë të pavetëdijshëm të Sali Berishës. Dhe s’ke ça flet me ta.
I vetmi argëtim janë këta opinionistët e qartë pro Berishës, që bëjnë sikur u vjen keq “pse po turpërohet Shqipëria” vetëm për pak vullnet për të respektuar Berishën. Janë të shqetësuar më shumë se sa në Bosnjë.
E dimë që për aq pak gjë bëhet gjithë kjo betejë. E dimë që nuk është betejë për Srebrenicën apo për Maqedoninë e Veriut, për Malin e Zi, apo Kosovën. E dimë që është një betejë titanike e Sali Berishës që të thotë “ja më në fund u përfilla pas sanksioneve amerikane”.
Ndaj ka shumë rëndësi që të mos ndodhë kurrë. E vetmja gjë që nuk llogarisim dot, është se çfarë turpi do të ishte për Shqipërinë sikur të vazhdonim të respektonim Berishën. Qoftë dhe një minutë.