Ndodhemi vetëm pak ditë larg hapjes së Eurovizionit dhe ethet kanë nisur që tani. Kryefjala e mediave rozë ka qenë lajmi që Eurovisioni ka fshirë nga faqja zyrtare fotot e Ronela Hajatit gjatë provave zyrtare të performancës pasi fotot janë konsideruar shumë “provokative” dhe të pahijshme.
Kjo ka shkaktuar menjëherë reagimet e fansave të cilët e kanë dënuar këtë censurë ndaj këngës përfaqësuese të shtetit tonë. E ftuar në “Goca dhe gra”, Ronela ka sqaruar se veprimi i “censuruar” ishte thjesht një lëvizje dore dhe se duhej të ishin marrë foto të tjera gjatë performancës në skenë.
“Është një lëvizje, që thjesht shkon dora dhe është kapur aty. E di si është puna, kemi pasur një suport shumë të madh nga njerëz që as nuk i njoh. Komentet negative janë shumë të pakta. Unë i pikas këto se dua t’i shoh. Problemi është se komentet pikante janë vetëm bullizuese dhe të poshtra, sa je shëndoshur sa kile ke shtuar. Koreografia është censuruar se ka video të tjera që duhet të ishin marrë”.– tha Ronela.
Niko Komani është shprehur mjaft i surprizuar për këtë veprim të EBU duke thënë se kemi parë dhe performanca të tjera akoma më provokuese në skenë.
“Dje kishim një takim me përfaqësuesen e Spanjës dhe ajo tha që janë të gjithë të habitur me këtë gjë që po ndodh. Sepse edhe ajo vetë ka një performancë seksi. Është hera e parë që Shqipëria po komentohet pafund në çdo detaj nga paruket, veshjet, sepse më herët vetëm është thënë, është këngë e mirë dhe vetëm kaq. Kemi parë performanca shumë të çuditshme, puthje në buzë, femra dhe meshkuj topless. Nuk e di pse Ronelës i ndodhi kjo. Ne kemi 6 ditë në Torino dhe ne kemi dal për shopping për qejfin tonë dhe na ndalonin njerëzit, madje dhe shqiptarë pafund dhe të gjithë janë të çuditur se pse i ndodhi Ronelës kjo”-u shpreh ai.