Rivaliteti mes José Mourinhos dhe Pep Guardiolës i vuri flakën La Liga-s mes viteve 2010 dhe 2012, vite në të cilat ata ishin në krye të Real Madridit dhe Barcelonës, duke arritur nivele ekstreme. Rivaliteti shkoi deri në atë pikë sa trajneri portugez i kishte shëndërruar në armiq lojtarët e dy skuadrave edhe kur shkonin në kombëtare.
Pra, dhe atje nuk flisnin. Gerard Pique, flamuri blaugrana, tha në një intervistë për “Sky Bet”: “E mbaj mend herën e parë që Mourinho erdhi në ‘Camp Nou’, i freskët nga tripleta me Interin. Ai humbi 5-0 dhe duhej të përballej me realitetin. Ishte një goditje e fortë.
Në konferencën për shtyp ai sulmonte çdo ditë dhe kjo ishte e tepërt për Guardiolën. Nuk ishte diçka që kishte të bënte me futbollin, në atë kohë synonte të shkatërronte edhe marrëdhëniet mes lojtarëve. Nëse Mourinho shkonte te një futbollist dhe i thoshte ‘ky person të urren ty’, ai e besonte.
Për shembull, në ekipin kombëtar u përpoqa të përshëndesja Casillas, por ai nuk donte të fliste me mua. Duhej të kishim seanca mes nesh, lojtarëve të Barçës dhe Realit në kombëtare, për të rivendosur marrëdhëniet dhe për t’u bashkuar në dhomat e zhveshjes”.
Ndër çështjet e ndryshme të trajtuara, mbrojtësi foli edhe për Superligën, duke përsëritur kundërshtimin e tij, pavarësisht se Barcelona është një nga klubet që shtyn më shumë për krijimin e kompeticionit: “Këtu në Spanjë çështja ka marrë një kthesë politike.
Shtypi kontrollohet nga disa persona që mbështesin Superligën, ndryshe nga Britania e Madhe, ku ata thanë se ishin kundër. Për mendimin tim, në këtë mënyrë shkatërrohet futbolli, sepse do të përfitonin vetëm lojtarët e mëdhenj. Nuk mendoj se Real Madridi dhe Barcelona janë sjellë mirë në këtë rrethanë, edhe nëse dal kundër klubit tim”.