Ky sezon ka qenë një dështim i plotë për Manchester United brenda dhe jashtë fushës së lojës dhe gjërat duket se janë përkeqësuar këtë javë me dy lojtarë që duken se janë përfshirë në një përplasje fizike në stërvitje.
Morali i skuadrës është përtokë në Carrington, me lojtarët që duket se janë shumë të pakënaqur për shkak të rezultateve shumë zhgënjyese të këtij sezoni.
Tani, sipas The Sun, dy lojtarë veteranë duket se janë përplasur fizikisht gjatë një seance stërvitore me pjesën tjetër të lojtarëve që kanë ndërhyrë për t’i ndarë.
E përditshmja angleze ka shkruar se yjet e tjerë të skuadrës kanë mbetur të befasuar nga ajo që ka ndodhur dhe kanë ndërhyrë menjëherë për të qetësuar situatën.
United ka pësuar një humbje tronditëse 4-0 në ndeshjen e fundit të luajtur në kampionat, gjë që ka shtyrë trajnerin Rangnick t’u japë lojtarëve katër ditë pushim, duke parë se ekipi nuk kishte ndeshje në këtë fundjavë.
Megjithatë, ditët e pushimit duket se nuk kanë sjellë efektin e dëshiruar, me tensionin që duket se ka arritur kulmin gjatë stërvitjes.
Prej disa kohësh është thënë se brenda skuadrës janë krijuar grupe dhe se ka një mungesë të theksuar të shpirtit të skuadrës dhe bashkëpunimit.
Erik ten Hag do të ketë një detyrë shumë të vështirë sezonin e ardhshëm dhe është e qartë se nuk bëhet fjalë vetëm për t’i bërë lojtarët të luajnë mirë në fushën e lojës, por edhe për të bashkuar një skuadër shumë të përçarë.