Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame, ka qenë sot në Njësinë Administrative Buçimas për të mbyllur kapitullin e legalizimeve në këtë njësi. Buçimasi, me 8 fshatrat që e përbëjnë, është njësia më e madhe Administrative e Bashkisë Pogradec dhe, në procesin e legalizimeve që nga viti 2006, kishte 1700 aplikime të regjistruara sipas Regjistrit Online të Vetëdeklarimeve.

Me 140 legalizimet e dorëzuara këtë fundjavë, numri i objekteve të legalizuara në këtë Njësi shkon në 1560. Mbeten ende jashtë procesit të legalizimeve rreth 150 objekte, të cilat ose përfshihen në kategorinë e objekteve të palegalizueshme, ose ju përkasin qytetarëve që nuk gjenden aktualisht në Shqipëri.

Drejtori Lame, para se të fillonte dhënia e lejeve, rikujtoi reformën e Qeverisë për digitalizimin, duke u orientuar të gjithë qytetarët drejt shërbimeve online. “Ju e keni dëgjuar edhe nga kryeministri që tashmë çdo gjë do të kalojë online. Duke filluar nga 1 maji, çdo veprim, çdo aplikim për shërbime nga më të ndryshmet, do të kryhet vetëm përmes e-albania. Nuk do ketë më njerëz nëpër radha sportelesh dhe veçanërisht kjo ndihmon qytetarët që banojnë drejtorive të institucioneve”, tha Lame.

Gjatë aktivitetit, për fshatin Guras u dha edhe leja e legalizimit për xhaminë e fshatit, kjo edhe në kuadër të muajit të Ramazanit, Përfaqësuesi i Komunitetit Musliman Namik Mahmutllari, i pranishëm në event, ka falenderuar Kadastrën që ka bërë të mundur legalizimin e të 20 xhamive të ngritura në këtë zonë.

Në këtë zonë me drejtim bujqësor-blegtoral, përveç procesit të legalizimeve, çështje tjetër që po trajtohen nga Kadastra është ai i pajisjes me çertifikatat e pronësisë për tokën bujqësore. Edhe ky proces po ecën normalisht, pasi në fshatrat e këtyre zonave në përgjithësi ndarja e tokës me ligjin 7501 është zbatuar pa konflikte.