Për arsye të bllokadës ruse në Detin e Zi, Ukraina nuk mund të eksportojë grurin dhe produktet e tjera nga deti.
Porti rumun në Konstanta është kthyer në pikën më të afërt ku ata mund të vijojnë tregtinë detare.
Por ky kompromis ka plot probleme logjistike që duhet të zgjidhen nga autoritetet dhe kompanitë rumune.
Aktualisht gruri dhe misri i Ukrainës po ngakohet në trena, kamionë ose barkat e lumit Danub për t’u transportuar drejt porteve rumune.
Para luftës Ukraina eksportonte 4.5 milionë ton produkte bujqësore në muaj nga portet e saj, kryesisht grurë, misër e vaj luledielli.
Edhe Bullgaria tha kësaj jave se do të ndihmonte në shpërndarjen e grurit ukrainas nga porti i saj Varna në Detin e Zi, deri në përmirësimin e infrastrukturës.
Ndërkohë në Konstanta anija e parë me 70,000 ton misër ukrainas u nis sot drejt destinacionit.
Për ta mbushur atë u deshën 49 trena ose anije të vogla lumi, thonë autoritetet e portit.
Edhe para luftës, Konstanta kishte kaluar portin francez të Le Havre duke u bërë pika kryesore e eksporteve të grurit në Evropë, thotë drejtori Florin Goidea.
“Qëllimi ynë është të ngarkojmë sa më shpejt mallrat për të ndihmuar ekonominë në Ukrainë, lufta është një sfidë por për ne edhe një mundësi”, shtoi ai.