Presidenti i Këshillit Europian udhëtoi drejt Odesës për ta kremtuar atje Ditën e Europës.
“Jam në qytetin ku sic thoshte Pushkini, mund të ndihet Europa”, ka shkruar ai në Tëitter. Vizita e tij, shpjegojnë burime në Bruksel, është “demonstrim i mëtejshëm i solidaritetit të pathyeshëm të Bashkimit Europian me popullin ukrainas në betejën e tij kundër pushtimit rus”.
Gjatë kësaj ndalese, Michel është takuar me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal e është lidhur edhe me presidenti Volodymyr Zelensky. Por takimi është ndërprerë për shkak të bombardimeve të reja ruse në Odessa, thonë mediat e huaja. Zyrtarë të bllokut thonë se për shkak të sulmeve me raketa, Michel është detyruar të strehohet në një vend të sigurt.
Pak ditë më parë, Presidenti i Këshillit Europian, premtoi rritjen e ndihmës ushtarake edhe për Moldavinë, teksa në rajonin separatist të mbështetur nga Moska, Transdniester, janë raportuar disa incidente që çuan në akuzat ndaj Rusisë se po kërkon ta destabilizojë këtë shtet ish-sovjetik dhe ta përfshijë në luftën e saj kundër Ukrainës.
“Këtë vit planifikojmë të rrisim ndjeshëm mbështetjen tonë për Moldavinë, duke u ofruar forcave të saj të armatosura pajisje shtesë ushtarake”, tha Michel gjatë një konference të përbashkët për media me presidenten moldave, Maia Sandu, ndërsa shtoi se shmangia e përshkallëzimit të tensioneve në Transdniester është e një rëndësie të veçantë.