Presidenti polak Andrzej Duda u bë i pari udhëheqës i huaj që mbajti një fjalim brenda parlamentit ukrainas, që kur Rusia filloi agresionin më 24 shkurt. Gjatë një vizite në Kiev të dielën, ai deklaroi nga foltorja e parlamentit, se Ukraina nuk duhet të dorëzohet përpara kërkesave të Presidentit rus Putin dhe se ajo duhet të vendosë vetë për fatin e saj.
Fjala e presidentit polak në parlament gjatë vizitës së tij të paparalajmëruar në Kiev, u prit me ovacione.
“Janë shfaqur zëra shqetësues që thonë se Ukraina duhet të bëjë lëshime përballë kërkesave të Putinit. Vetëm Ukraina ka të drejtën të vendosë për të ardhmen e saj… asgjë (nuk mund të vendoset) për juve, pa ju”, tha zoti Duda mes brohoritjeve të ligjvënësve ukrainas.
Presidenti polak tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë që Rusia të tërhiqet plotësisht nga territori ukrainas.
Gjatë fjalimit të presidentit polak
“Nëse Ukraina sakrifikohet për… arsye ekonomike apo ambicie politike, qoftë edhe një centimetër nga territori i saj, kjo do të ishte një goditje e rëndë jo vetëm për kombin ukrainas, por edhe për të gjithë botën perëndimore”, tha zoti Duda.
Polonia është vendi ku lindi Lëvizja Solidariteti e sindikatave të punëtorëve, që luajti një rol të rëndësishëm në dhënien fund të komunizmit në Evropën lindore dhe marrëdhëniet e Polonisë me Rusinë kanë qenë prej kohësh të tensionuara. Që kur Rusia filloi sulmin në Ukrainë, Varshava është pozicionuar si një ndër aleatët më të vendosur të Kievit.
Presidenti i Polonisë Duda ecën në rrugët e Kievit me Presidentin e Ukrainës Zelenskyy (22 maj 2022)
Polonia ka këmbëngulur për sanksione të forta ndaj Rusisë dhe ka ngritur zërin në mbështetje të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Zoti Duda e rikonfirmoi mbështetjen në fjalimin e tij të dielën.
“Nuk do ta gjej qetësinë derisa Ukraina të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, deklaroi të dielën zoti Duda.
Polonia, e cila ka mirëpritur miliona refugjatë ukrainas që kur Rusia sulmoi fqinjin e saj, është bërë një portë kryesore për ndihmën humanitare perëndimore dhe armët që shkojnë në Ukrainë.