Kryeministri Rama mori pjesë sot në prezantimin e projektit të Muzeut Hebraik Shqiptar, i cili do të ndërtohet në qytetin e Vlorës.
“Ka munguar për shumë kohë në vendin tonë një muze që tregon për një prej faqeve më të arta të historisë së shqiptarëve, që është historia e shpëtimit të hebrejve, për të cilën në këtë vend nuk ka asnjë adresë, akoma. Jam realisht i kënaqur që sot hedhim një tjetër hap drejt krijimit të adresës së parë të kësaj historie, një muze hebraik në Vlorë ku ka pasur një komunitet të rëndësishëm hebre dhe ku është mundësia të ngihet një strukturë e tillë në lagjen ku ishte i përqëndruar komuniteti hebraik i Vlorës” tha Kryeministri Rama.
Më tej, ai shprehu dëshirën që të vijonin projekte të tilla e ky të mos mbetet i vetmi muze që përfaqëson marrëdhënien e posaçme të shqiptarëve me komunitetin hebre, duke theksuar se edhe para Luftës së Dytë Botërore, ky komunitet ka pasur një respekt të madh. Kryeministri tha se Shqipëria në shekullin 20 ka pasur një ligj për shabatin, ku ndalohej të penalizoheshin financiarisht hebrenjtë që nuk shkonin në punë të shtunën.
Kryeministri reshtoi pjesë të historisë së përbashkët midis dy popujve duke u ndalur te koha kur katër përfaqësues të komuniteteve fetare në Shqipëri u thirrën në Gjermani për t’i kërkuar arin që gjendej në Romë dhe listat e hebrenjve, por këta të fundit refuzuan të dorëzojnë hebrenjtë, duke theksuar se kjo konsiderohej tradhëtia më e lartë që mund të bëjë shqiptari sipas kanunit, dhe raportin e shqiptarit me mikun në shtëpi.
“Ky muze duhet për t’i treguar fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë këtë pjesë të historisë e për t’i treguar sa e domosdoshme është që shoqëritë të mos humbasin këtë sens humanizmi dhe përkatësie ndaj bashkësisë njerëzore që treguan të parët tanë. Po ashtu, e domosdoshme që këtë histori ne ta vlerësojmë dhe trashëgojmë si një nga pasuritë më të mëdha të këtij vendi, të trashëgimisë sonë historike e kulturore, të asaj që jemi e asaj që duhet të mbetemi.
E fundit, është realisht shumë e rëndësishme që ta cojmë përpara këtë proces të krijimit të adresave që ndihmojnë komunikimin i kësaj historie sepse e gjithë eksperienca provon që raporti fizik me historinë është i pazëvendësueshëm. Librat, rrëfimet, filmat, tregimet janë të pazëvendësueshme, por për të rinjtë është ndonjëherë gjithmonë e më e pamundur të dallojnë të vërtetën nga e sajuara, lajmin nga shpifja” deklaroi Kryeministri Rama.
Në mbyllje, Kryeministri deklaroi se kjo nuk do të jetë i vetmi monument i kësaj marrëdhënie mes dy vendeve, pasi po qeveria po përgatitet për të krijuar një qendër hebraizmi në Tiranë.