Nga Ylli Pata
Siç tashmë është bërë e njohur: 34 deputetë të Partisë Demokratike, në mënyrë demonstrative nuk pranuan të ishin pjesë e “rithemelimit” të Sali Berishës. Grupi parlamentar zyrtar i PD-së në Kuvend ka 44 deputetë. Por 14 deputetë të tjerë janë zgjedhur nga listat e PD-së më 25 prill 2021, kryesisht nga partitë aleate, të cilët gjithashtu nuk u bënë pjesë e Foltores së 30 prillit. Madje nuk u pa as Fatmir Mediu.
E në këtë logjikë shifrash, gropa reale e “Kuvendit” të 30 prillit ishte më e madhe se ajo që u shpall.
Dhe menjëherë, pikërisht mbi këta deputetë që nuk ju bashkëngjitën partisë së Sali Berishës ra edhe mallkimi më i madh prej analistëve dhe intelektualëve të Foltores. Një nga të cilët, Artan Fuga, i quajti deputetët e opozitës që nuk ju bashkëngjitën Sali Berishës, si homologë të “karnavaleve” siç e quajti ai të opozitës parlamentare pas djegies së mandateve-pra pas shkurtit 2019. Po mirë, si mund të arrijë deri në këtë nivel hipokrizia, kur kryedeputetja e “opozitës Parlamentare”: Rudina Hajdari, ishte pjesa më “e ndritshme” e Kuvendit të 30 prillit. Ndërkohë që formacionit të Sali Berishës i janë bashkuar bindshëm që nga Muslim Murrizi, Kujtim Gjuzi e deri te Selami Jenisheri. Personazhe që mediat e Berishës dhe intelektualët si Fuga nuk reshtin së shari dhe së fyeri, por thjesht ata nuk kanë ndjekur kronikën e “kuvendit” të Sali Berishës që nga 9 shtatori i 2021 kur ai u përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së.
Pra aspekti moral i “opozitarizmit parimor e qëndrestar” ka rënë që kur Berisha pranon të hapë portën për të gjithë ata njerëz që jo vetëm i ka konsideruar tradhëtarë, por edhe i ka telendisur në satirën televizive, apo memeistike të opozitarëve radikalë, të cilët rikthyen standardin e vjetër të “tradhëtarit”.
E mejithatë, gjithçka në këtë mes e në çdo logjikë është politike. E pamoralshme këtu është pikërisht standardi i trajtimit dhe cilësimit të kundërshtarëve jo sipas një ideje fikse, porn ë bazë të stinëve dhe erës që fryn.
Kështu; njëherë Rudina cilësohet si tradhëtare, analfabete, kurse sot derdhen lot si vajza e Azem Hajdarit. Rudina ka qnë e bija e Azemit edhe pasi nuk pranoi të digjen mandatet. E pikërisht për këtë arsye, që është bija e liderit të lëvizjes studentore, Rudina nuk duhej të ishte linçuar në të mënyrë nga mediat e Berishës. Por tashmë dihet e kjo është edhe mënyrë shantazhi: kur s’je me ne je armiku ynë.
Megjithatë, ajo që nuk se është komentuar këto ditë është fakto që pse mjaft nga deputetët e lëkundur të PD-së nuk pranuan t’i bashkangjiten Sali Berishës, edhe pse ky i fundit arriti të largojë Lulzim Bashën e të fitojë bashkinë e Shkodrës.
Deputetët e PD-së, edhe pse emra të rinj, janë pjesë e një supstrakti të ngjizur të materialit politik të lobeve e strukturave edhe berishjane prej 30 vjetësh. Ka nga këta parlamentarë që janë djem kryetarësh komunash, vajza drejtues seksionesh e nuse djemsh të grupimeve radikale të Partisë Demokratike.
Që do të thotë e njohin mirë, apo të paktën këshillohen nga njohës të mirë të ambjentit të opozitës. Duke qenë në thelb qënie politike që lëvizin sipas konjukturave. Pra, ata nuk shkuan me Sali Berishën se kishin frikë se humbnin, edhe pse një pjesë e mirë e këtyre deputetëve ju bë e qartë se do të rikandidohen.
Sepse deputetët e dijnë mirë, se lëvizja e Sali Berishës është vetëm një “gjysma-gjel” si në përrallë e cila pret që gjatë udhëtimit t’i bashkohet gjysmagjeli i Ilir Metës. Por natyrisht nuk është vetëm kjo, e këtu secili mund të shtojë argument sipas diapazonit politik e pragmatist. E ku natyrisht ndikim ka edhe thithja e informacioneve që një deputet merr më shumë, në lidhje me rëndësinë e ndëshkimit Non Grata për Sali Berishën.
Sulmi ndaj deputetëve që nuk i shkuan në Pallat të Kongresve, nuk do të ishte kaq dramatik, nëse realisht pesha e tyre do të ishte e vogël siç thohej deri tani. “Që partia janë anëtarësia, strukturat, militanca”. “Drithi” politik i çdo partie politike është deputeti që çon në Parlament, e kjo është thuajse në çdo sistem politik. Parlamentari është disafish më shumë se çdo zyrtar tjetër politik. Sistemet diktatoriale që rrëzuan përfaqësimin parlamentar i dhanë rëndësi më shumë “masës”, “organizatës”, por në një demokraci parlamentare si e jona deputeti përfaqëson të paktën 10 mijë zgjedhës. E si i tillë pesha e tij është shumë e madhe. 34 shumëzim për 10 mijë janë 34 mijë zgjedhës, që i kanë dhënë të drejtën t’i përfaqsojnë deri në vitin 2025. Ndërkohë strukturat, janë aq të lëvizshme e jo reale, siç ndodhi me gjykimin ndaj Jenisherit e Kujtim Gjuzit: dje talleshin, sot i kanë heronj…