Real Madridi eliminoi Manchester City-n në gjysmëfinalen e Champions League. Madrilenët fituan 90 minutat me rezultatin 2-1 kur mendohej se “Qytetarët” do të kalonin në finale, ndërsa goli i Benzema në shtesa i siguroi suksesin.
Ndeshja u veçua dhe për një episod mjaft interesant ku një tifoz u fut në fushë me flamurin shqiptar. Ai i shpëtoi sigurisë dhe arriti të përqafonte idhullin e tij, sulmuesin e Real Madridit. U mendua se djaloshi ishte shqiptar, por në fakt bëhet fjalë për youtuberin Gokhan BG.
Turku ishte i ftuar sot në emisionin “Shqipëria Live” ku foli ekskluzivisht për ngjarjen. “E kisha menduar prej kohësh që do të futesha në fushë. E dija se do t’ia arrija qëllimit dhe do ta takoja Benzemanë.
“E përgatita gjithçka me miqtë e mi shqiptarë, Mërgimin dhe Paçon.Kur takova Benzemanë dhe e përqafova, ai e dinte se po shkoja drejt tij.
“Ai u tha sigurisë: ‘qetë, qetë’. E dua Shqipërinë sepse kam qenë disa here atje”, tha turku. Mërgimi, miku i tij shqiptar tha:”Spanja nuk e njeh Kosovën dhe ne vendosëm që të sillnim flamurin shqiptar në fushë.
“Gokhan e mori përsipër dhe ne i dhamë flamurin kuqezi ta shpaloste në fushë. Ky është flamuri që kishim”, – tha Mërgimi duke treguar flamurin.