Kryeministri Edi Rama ka bërë një maratonë të gjatë replikash ditën e hënë në seancën plenare me deputetët e PD.

Pas përplasjes me Bujar Leskajn dhe Tomorr Alizotin, kryeministri replikoi ashpër edhe me Enkelejd Alibeajn.

Rama tha se sot është për të ardhur keq kur sheh demokratët që sillen si komunistë. Sipas tij e gjithë kjo vjen pasi shumica e deputetëve të pranishëm në Kuvend janë rritur në prehrin e Sekretarit të Partisë së Enver Hoxhës, duke iu referuar ish-kryeministrit Sali Berisha.

“The shumë gjëra, the që shava atë, nuk e shava. Ua kam thënë ju keni probleme të mëdha me gjuhën shqipe. E para meqë më the për të parët e mi, me kë të parë e ke? Nëse e ke me tim atë, im atë është ai përpara veprës së të cilit edhe Leskua edhe ti edhe Fredua dhe të gjithë ju thyeni kërbishten atje. Nëse e ke me gjyshërit, merr dhe lexo kush ishin,. Nëse e ke me stërgjyshërit, lexo se kush ishin. Unë në bllok nuk kam jetuar kurrë, e kam pasur shtëpinë në rrugën Muhamet Gjollesha pallati 18, kam patur një shtëpi si gjithë të tjerët. Im atë nuk ka qenë kurrë anëtar i Komitetit Qendror dhe nuk kam unë asnjë problem se çfarë thoni ju, çfarë ju kanë thënë, apo çfarë do më thonë. Ju që flisni me këtë gjuhë jeni shembulli i inercisë së ideologjisë së Enver Hoxhës.

 

Enver Hoxha sot është gjallë përmes jush, përmes mënyrës se si ju e kuptoni kundërshtarin njësoj si ai, me ndryshimin që ju nuk keni fuqinë që kishte ai, që të fuste plumbin ose në burg. Unë nuk pres as respektin e askujt prej jush, mua më mjafton respekti i atyre që kur dolën nga burgu pas shumë e shumë vitesh, jo vetëm që nuk kishin asnjë lidhje me ju, por ishin komplet e kundërta juaj, sepse ishin komplet e kundërta e Enver Hoxhës. Partia e Enver Hoxhës ju bëri si veten, në shumë prej jush futi urrejtjen, dhe tek shumë prej jush futi kompleksin e inferioritetit dhe përçmimit. Kjo nuk është koha e Enver Hoxhës, dhe nuk përballet kundërshtari me këto argumenta. Ju u rritët politikisht në vatrën e sekretarit të Enver Hoxhës, e mori PD-në dhe e zotëroi plotësisht se ishte nxënës i Enverit. Ju jeni qeverisur nga komunisti antikomunist, që është edhe më i ziu. Ju nuk keni asnjë vizion ardhmërie, asnjë kuptim të demokracisë, shikoni si u demaskuat të gjithë ju, me ato konventat e referendumet, të gjithë duke vjedhur votat”, tha Rama.