Në konferencën e nismës Adriatiko-Joniane ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama dhe përfaqësues të vendeve pjesëmarrëse, ku që me krijimin e saj, nisma synoi rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal, konkurrencës dhe stabilitetit në rajon, nën misionin e përbashkët për integrimin në BE të vendeve kandidate.
“Jemi shumë të vegjël në këtë rajon që të kërkojmë një ndryshim që në një periudhë të arsyeshme do i bëjë njerëzit tanë të barabartë në një hapësirë të Europës, por së bashku duke bashkuar forcat nuk jemi kaq të vegjël. Hapësira që mund të krijojmë mund të jetë shumë herë më tërheqëse për aktorët më të mëdhenj që të na shohin si mundësi për ta” u shpreh Kryeministri gjatë fjalës së tij.
Në ruajtjen e këtij stabiliteti, nisma ka luajtur një rol thelbësor. Me miratimin e saj, Strategjia e BE-së për Rajonin Adriatik dhe Jon u shndërrua në strategjinë e tretë makro-rajonale në BE, duke përfshirë 9 vende, 4 anëtare të BE-së dhe 5 vende kandidate.
Drejtimi i kësaj nisme për Shqipërinë vjen pas presidencës së suksesshme të OSBE gjatë vitit 2020 dhe njëherësh edhe të Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik të Detit të Zi, për 6 muajt e parë të vitit 2021.
Duke pasur si parim drejtues të saj bashkëpunimin dhe solidaritetin, gjatë presidencës Shqipëria është fokusuar në disa prioritete: rinia, integrimi, agjenda e gjelbër, turizmi, kultura, digjitalizimi dhe infrastruktura.
Aspirata e përbashkët e Ballkanit Perëndimor është integrimi në BE dhe disa nga rrugët drejt këtij orientimi janë nismat e mëdha rajonale të Ballkanit të Hapur dhe Korridorit të 8, që kanë mbështetjen e padiskutueshme të BE, pasi kjo e fundit e ka kuptuar vlerën strategjike të ndërlidhjes së kryeqyteteve dhe pikave kryesore të Ballkanit Perëndimor, duke krijuar rrugë të reja për tregtinë, investimet dhe turizmin.